Turqia dënon me burg përjetë të akuzuarit për sulm terrorist në vitin 2016

104
Gjykata penale në Stamboll dënoi tre të akuzuarit lidhur me rastin e sulmit terrorist vetëvrasës në Sulltanahemt të Stambollit, në janar të vitit 2016, me dënime të përjetshme dhe me nga 329 vite burg, raporton Anadolu Agency (AA). Gjykata penale në Stamboll sot shqiptoi aktgjykimin në rastin e sulmit me bombë në Sulltanahmet të Stambollit, në të cilin u vranë të paktën 12 persona, kryesisht shtetas të Gjermanisë dhe u plagosën 16 të tjerë. Në procesin gjyqësor u përfshinë gjithsej 26 të pandehur, shtetas të Sirisë dhe Irakut. Seanca e sotme u ndoq nga katër të akuzuarit Hassan al-Mayyuf, Fevzi Muhammed Ali, Halil Dervish dhe Abdulrahman Faiz Rashit.
Këshilli Gjyqësor e dënoi Abdulrahman Faiz Rashit me gjashtë vite e tre muaj burg për veprën e “anëtarësimit në organizatë terroriste”. Duke e marrë parasysh periudhën që kaloi në burg, gjykata e liroi atë me masën e ndalimit të largimit nga vendi. Tre të akuzuarit e tjerë Hassan al-Mayyuf, Fawzi Muhammad Ali dhe Halil Dervish, gjykata i shpalli fajtor për “shkelje të Kushtetutës së Republikës së Turqisë”, për çka u dënuan me burgime të përjetshme.
Gjithashtu, këta tre u shpallën fajtorë edhe për veprën penale ndihmë në vrasjen e 12 personave, pjesmarrje në tentim vrasje të 16 personave, për çka u dënuan edhe me nga 329 vite burgim. Sa i përket 24 të pandehurve të tjerë në këtë rast, për katër prej tyre, pasi ata ende janë në ikje dhe nuk janë dëgjuar, gjykata vendosi që ata të gjykohen veç e veç, apo akuza e tyre të ndahet, kurse 18 të pandehurit tjerë u lanë të liruan për shkak të mungesës së provave për pjesëmarrje në sulm. Në lagjen Sulltanahmet të Stambollit më 16 janar 2016 në ora 10:20 pati një sulm terrorist vetëvrasës, në të cilën jetën e humbën kryesisht turistë gjermanë. Zyrtarët turq të njëjtën ditë konfirmuan se sulmin e ka kryer një shtetas sirian, i lindur në vitin 1988, i lidhur me terroristët e DEASH-it.