Turqi, varrosen viktimat e sulmit në Suruç. Thirrje kundër ISIS

535
25 nga 32 viktimat e sulmit me bombë në Suruç janë përcjellë për në banesën e fundit. Në një ceremoni në oborrin e një xhamie në qytetin jug-lindor Gaziantep, janë mbledhur qindra vetë. Pas ritualeve, arkivolet me trupat e pajetë të viktimave iu janë dorëzuar familjarëve dhe janë varrosur në qytete të ndryshme.
Por, turma e mbledhur shpërtheu në thirrje kundër ISIS dhe qeverisë së Presidentit Erdogan, që sipas tyre, nuk ka bërë mjaftueshëm për të parandaluar sulme terroriste. Ndërkohë, kryeministri Ahmet Davutoglu, duke folur pranë vendit të shpërthimit, ka hedhur poshtë se qeveria nuk ka bërë asgjë kundër terrorizmit, duke shtuar se “nuk kanë toleruar asnjëherë asnjë grup terrorist”.
Ai ka thënë se sulmin ka shumë mundësi ta ketë bërë ISIS, ndërsa ka njoftuar se 29 nga 100 të lënduarit në këtë shpërthim janë ende në spital, nën kujdesin e mjekëve. Partia opozitare CHP dhe grupet kurde kanë akuzuar qeverinë se nuk ka shpallur asnjë ditë zie, ndërkohë që në janar, kur vdiq Mbreti i Arabisë Saudite, Abdullah, u shpallen tri ditë zie.
Sigal