Tunelet e trafikut të drogës në kufirin Meksikë-SHBA

459
Trafikantët e drogës, që kërkojnë të futen në tregun fitimprurës amerikan, kanë krijuar kalime të ndryshme sekrete për të kontrabanduar produktet e tyre të paligjshme. Ndër të tjera, ata kanë hapur tunele të gjera dhe të sofistikuara poshtë kufirit mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara. Kamera e Zërit të Amerikës u lejua të vizitonte një tunel klandestin për të mësuar se sa i vështirë është ndalimi i trafikimit të drogës.
Për tregtinë e paligjshme të marijuanës, tunelet janë një formë popullore transporti. Që nga viti 1990 janë zbuluar mbi 220 tunele në kufirin me Meksikën, përfshi 60 në zonën e kontrolluar nga roja kufitare në San Diego të Kalifornisë. Jose Hernandes është zëdhënës i rojes kufitare në San Diego.
“Kjo është një zonë industriale me magazina dhe kamionë në lëvizje në çdo orë të ditës. Trafikantët i maskojnë veprimtaritë e tyre aty ku të gjithë mund t’i shohin.”
Zhurmat nga trafiku i vazhdueshëm në anën amerikane dhe ndërtimi i dendur urban në anën meksikane maskojnë më së miri hapjen e tuneleve sekrete, sikurse ky tunel i zbuluar në vitin 2009. Trafikantët shpenzojnë shuma të mëdha deri në 2 milion dollarë për ndërtimin e një tuneli. Ky tunel është 20 metra i thellë dhe tejet i sofistikuar. Ka shina hekurudhore, ndriçim e madje edhe sistem telefonik.
Tuneli zgjaton 70 metra. I ndërtuar me paisje shpimi dhe lopata, tuneli u zbulua para se të përfundonte. Për të ndihmuar në zbulim, roja kufitare ka një shumëllojshmëri mjetesh komplekse, përfshi radarë dhe sensorë që depërtojnë në thellësi të tokës.
Lance LeNoir drejton ekipin e zbulimit në San Diego, anëtarët e të cilit quhen “minj tuneli”. Ai thotë se kontrabandistët përdorin tunelet kryesisht për kalimin e sasive të mëdha të marijuanës. Aroma që lëshon marijuana e bën të pamundur që të mos zbulohet nga qentë e kufirit në aeroporte apo pika kufitare. Kontrabanda e marijuanës i mban agjentët e kufirit të angazhuar në punë.
“Ata interceptuan 13 individë në pjesën jugore në Meksikë. Gjetën hyrjen poshtë dyshemesë së një banjoje e cila ulej përmes një sistemi hidraulik.”
Autoritetet amerikane i mbyllin tunelet e zbuluara.
“Shënojmë nga sipër vendin nga kalon tuneli, hapim një vrimë dhe e mbushim me çimento.”
Mes viteve 2007-2015 Departamenti i Sigurisë Kombëtare shpenzoi 8.7 milion dollarë për bllokimin e tuneleve me çimento. Organet e rendit në Meksikë përdorin një qasje ndryshe.
“Kryesisht ata hedhin mbeturina në hyrje të tunelit deri sa të bllokohet hyrja”, thotë Jose Hernandez me rojen kufitare në San Diego.
Kjo metodë është burim konflikti mes autoriteve meksikane dhe amerikane, sepse zgjidhja nuk është e përhershme. Të paktën gjashtë tunele u rihapën në anën meksikane. Autoritetet thonë se nuk kanë para për të përdorur çimento.
Por të dy vendet vazhdojnë të bashkëpunojnë në bllokimin e tuneleve dhe trafikantëve. Shtetet e Bashkuara e shohin drogën dhe kontrabandën si kërcënim për shëndetin dhe sigurinë e vendit.
Sigal