Tsipras: Ruajmë qetësinë përballë “provokimeve” të Ankarasë

602
Kryeministri grek Alexis Tsipras ka deklaruar se Greqia nuk do të bjerë pre e provokimeve të Turqisë në detin Egje. Ndërkaq, presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker i ka kërkuar Ankarasë të mos shkelë ligjin ndërkombëtar me aktivitete ilegale në Egje si dhe të lirojë menjëhershë dy ushtarët grekë të arrestuar në Turqi në mars. 
Greqia do të ruajë qetësinë përballë “provokimeve të rrezikshme” nga Turqia. Kështu është shprehur kryeministri grek Alexis Tsipras, nga konferenca e përbashkët për shtyp me Presidentin e Komisionit Europian Jean-Claude Juncker. Sipas Tsipras, Greqia mund të luajë një rol qendror në promovomin e bllokut prej 28 anëtarësh në një forcë të paqes dhe sigurisë. “Këtë po e provojmë duke qenë vendimtarë dhe të qetë përballë provokimeve të rrezikshme të Turqisë në Egje ndaj të drejtave tona sovrane,” u shpreh kryeministri grek.
Ndërkaq, Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker i kërkoi Turqisë të lirojë dy ushtarët grekë të arrestuar në territor turk në muajin mars. Juncker i kërkoi Ankarasë të mos vijojë me aktivitete të jashtëligjshme në Mesdheun lindor. “Respektoni ligjin ndërkombëtar,” ishte kërkesa e Presidentit të Komisionit Europian.
Greqia dhe Turqia, partnere në NATO, ndodhen në mosmarrëveshje mes tyre për një sërë çështjesh duke nisur nga hapësira ajrore mbi detin Egje deri në të drejtat minerale në të njëjtin rajon, si dhe në Qipron e përçarë etnikisht. Retorika mes vendeve është ashpërsuar ndjeshëm pas arrestimit të dy ushtarëve grekë nga Turqia dhe pas refuzimit të Greqisë për të dorëzuar 8 komandot turke që u arratisën nga vendi, pas grushtit të dështuar kundër presidentit Recep Tayyip Erdogan në korrik 2016.
Sigal