Tsipras ndryshon kurs, nuk e sheh më Donald Trump si ‘një të keqe’

576
Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, e ka cilësuar si jashtëzakonisht të frytshëm takimin e tij me presidentin amerikan, Donald Trump.

“Konstatova gjatë takimit me Presidentin se përqasja e tij dhe mënyra me të cilën e trajton disa herë politikën, mund të duket diabolike, mirëpo e bën për mirë”, shtoi Tsipras.

Kryeministri grek e shprehu këtë vlerësim gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, në oborrin e Shtëpisë së Bardhë, në përgjigje të një pyetjeje që e vuri në pozitë të vështirë. 

Gazetari amerikan i kujtoi se në mars 2016, në prag të zgjedhjeve presidenciale amerikane, Tsipras kishte deklaruar për mundësinë e zgjedhjes së Donald Trump, që “shpresoj të mos përballem me këtë të keqe”.

Gazetari donte gjithashtu të dinte nëse pas takimit në Shtëpinë e Bardhë, Tsipras kishte ndryshuar mendim për presidentin Trump. Por kryeministri grek dha një përgjigje tejet diplomatike, duke iu shmangur në fakt pyetjes.

“Dua t’ju garantoj se takimi ishte jashtëzakonisht i frytshëm, nuk u ndjeva për asnjë çast i rrezikuar. Përkundrazi pata ndjesinë se ekziston një perspektivë e frytshme, me qëllim që të lëmë mënjanë gjithë mospajtimet që mund të ekzistojnë dhe të shohim terrenin e përbashkët që është shumë i rëndësishëm për marrëdhëniet tona”, tha më tej Tsipras.

Presidenti Trump e trajtoi me humor skenën, duke thënë që “nuk e dija këtë para fjalimit tim”…

Vetë takimi me presidentin Trump dhe sidomos deklaratat e zotit Tsipras, dëshmojnë për transformimin spektakolar të kryeministrit grek, nga dogmatizmi majtist në një pragmatizëm të theksuar.

Vetë zoti Tsipras dhe partia që ai drejton, kanë qenë deri para dy vitesh kampionë të frymës antiamerikane në Greqi.

Por menjëherë pas ardhjes në pushtet, Tsipras revizionoi shumicën e pikëpamjeve të tij, përfshirë qëndrimin ndaj Shteteve të Bashkuara.

Momenti i vizitës së kryeministrit grek në Uashington është mjaft i favorshëm për Athinën.

Takimi me presidentin Trump përkon me tensionimin në rritje të marrëdhënieve amerikano-turke. Kjo konjukturë i ofron mundësinë Greqisë që të shndërrohet në partnerin kryesor të Shteteve të Bashkuara në rajon dhe Athina kërkon ta shfrytëzojë këtë mundësi.

“Greqia ka rolin e një aleati të besueshëm për SHBA. Por në të njëjtën kohë ka një veçori unikale: Greqia mund të bisedojë me botën arabe dhe vendet e tjera të Lindjes. Rrjedhimisht, nuk është vetëm një shtet anëtar i NATO-s, por edhe një aleat i nevojshëm për Shtetet e Bashkuara”, nënvizoi Tsipras gjatë konferencës për shtyp.

Tsipras ka marrë mbështetjen e presidentit Trump për reduktimin e borxhit grek dhe inkurajimin për vazhdimin e reformave, por edhe premtimin për një bum investimesh të rëndësishme amerikane në Greqi.

Nga ana tjetër, Presidenti amerikan vlerësoi posaçërisht bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, ku veçoi shitjen e avionëve luftarakë F-16, me vlerë të përgjithshme 2,4 miliardë dollarë, por edhe gatishmërinë e palës greke që të rinovojë marrëveshjen për bazën detare amerikane në Suda të Kretës.

“Dua të falënderoj Kryeministrin dhe popullin grek për mikëpritjen fisnike të forcave tona detare në gjirin e Sudas. Gjithashtu, e përgëzoj Greqinë pse është një nga vendet e pakta anëtare të NATO-s që shpenzojnë aktualisht të paktën 2% të GDP-së për mbrojtjen”, tha Presidenti Trump.

Sigal