Tsipras-grekëve: Votoni “jo” në referendum, demokracia nuk është një grusht shteti

409
Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras, në një deklaratë për mediat greke tha se vota popullore e së dielës është më e rëndësishme se vendimet e qeverisë. “Ultimatumi që i është dhënë vendit tonë është i papranueshëm dhe për këtë arsye thërrita referendum. Por, ky referendum nuk është për qëndrimin apo jo të Greqisë në eurozonë. Pas referendumit, ditën e hënë, Greqia do të jetë në tavolinën e negociatave për një marrëveshje më të leverdisshme për grekët”, tha ai. Tsipras përsëriti thirrjen e tij për një votë “Jo”, që të gjendet një marrëveshje e drejtë ekonomike. “Një votë “Jo” do të thotë presion për gjetjen e një marrëveshjeje të drejtë ekonomike. Nuk mund të pranohet që në Europën e solidaritetit të mbyllen bankat si përgjigje ndaj qeverisë që lë popullin të vendosë”, u shpreh ai. Kryeministri grek, në një intervistë të mëparshme, u kishte bërë thirrje grekëve të votonin “jo” në referendumin e së dielës për të hedhur poshtë kërkesat e kreditorëve, pasi kjo votë kundër masave shtrënguese do ta ndihmojë Greqinë të negociojë një zgjidhje më të mirë ndaj krizës. Në rast të kundërt, nuk jam një kryeministër i përhershëm, ka thënë ai, duke nënkuptuar që, nëse vendimi i grekëve do të jetë pro masave, atëherë ai do të japë dorëheqjen dhe vendi do të shkojë përsëri në zgjedhje të parakohshme. Gjithashtu, ai bëri të ditur se pensionet dhe pagat nuk do të vonohen dhe se lekët e depozituara në banka nuk do të humbasin. 
Sigal