Tsipras do të kërkojë referendum brenda partisë për programin e shpëtimit

45
Kryeministri Aleksis Tsipras i ka bërë thirrje kolegëve të tij të Syriza-s që të organizojnë një kongres të përgjithshëm në muajin shtator, ose edhe një referendum të brendshëm këtë të dielë, në mënyrë që të tejkalojnë përçarjen në lidhje me marrëveshjen e nënshkruar më 12 korrik me kreditorët ndërkombëtarë.
Gjatë fjalës së tij në takimin e komitetit qendror të partisë, Tsipras pranoi se ishte i detyruar ta nënshkruante akordin që përfshin masa të ashpra shtrënguese në këmbim të 86 miliardë eurove në formën e një programi të tretë shpëtimi.
Tsipras: “Nuk ekziston një alternativë më e mirë, të paktën për momentin. Nëse dikush mendon ndryshe, atëherë është i lirë ta thotë mendimin e tij. Por çdo marrëveshje tjetër do ta zhvlerësonte ekonominë tonë dhe do të na bënte të ktheheshim mbrapsht te Fondi Monetar Ndërkombëtar”
Tsipras shmangu për pak kolapsin e vendit në bisedimet maratonë, por hasi në rebelim brenda partisë, pasi 39 deputetë votuan kundër reformave të kushtëzuara nga kreditorët, të cilat u miratuan vetëm falë mbështetjes së opozitës.
Mungesa e unanimitetit në parlamentin grek mund t’i japë fund edhe koalicionit qeverisës dhe ndoshta edhe vetë Syriza-s, duke bërë që shumë gjasa, vendi do të shkonte në zgjedhje të parakohëshme, duke u bërë kështu një pengesë për mbylljen e negociatave me kreditorët brenda 20 gushtit, afatit të caktuar nga palët.