Trupat siriane përgatiten të marrin plotësisht nën kontroll Alepon

493
Sigal

Grupi ekstremist libanez Hezbollah, i cili ka bashkuar forcat në mbështetje të Presidentit sirian Bashar al-Assad në luftën civile në Siri, tha sot se personat e mbetur në zonat e fundit të kontrolluara nga opozita në Alepo duhet të largohen sa më parë, dhe se trupat siriane do të mbërrijnë në orët në vijim sot.

Paralajmërimi pason votën dje në Këshillin e Sigurimit ku u miratua njëzëri rezoluta që kërkon dislokimin e menjëhershëm të vëzhguesve të OKB-së për të mbikqyrur evakuimin e mijëra civilëve nga qyteti i Alepos, i shkatërruar nga lufta.

Miratimi i rezolutës së propozuar nga Franca u arrit megjithëse ka pasur prej kohësh mospajtime brenda Këshillit të Sigurimit, ku aleatët e Sirisë – Rusia dhe Kina i kanë vënë vazhdimisht veton propozimeve perëndimore që synonin të qetësonin konfliktin shkatërrimtar.

Po ashtu paralajmërimi pason largimin e mijëra banorëve dhe kryengritësve nga zona e konfliktit, pasi përpjekje të shumta evakuimi kishin dështuar gjatë ditëve të fundit, të braktisura nga shpërthimet e shumta, bombat dhe të shtënat e armëve.

Nuk është e qartë sa veta mbeten në Alepon lindore, të cilën kryengritësit e futën nën kontroll në 2012 në kuadër të përpjekjeve për të rrëzuar qeverinë e Presidentit Bashar al Assad.

Rezoluta e OKB-së u bën thirrje të gjitha palëve të lejojnë menjëherë lëvizjen pa kushte të ndihmave humanitare dhe personelit mjekësor, si dhe respektimin dhe mbrojtjen e të gjithë civilëve në Alepo dhe në mbarë Sirinë.

Rezuluta po ashtu i bën thirrje Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon të zhvillojë konsultime të menjëhershme me Sirinë dhe palë të tjera në konflikt mbi sigurinë dhe akomodimin e vëzhguesve.