Trump ul taksat si kurrë më parë

510
Sigal

Pavarësisht pikëpyetjeve dhe dyshimeve që ngrihen nga ekspertët amerikanë të ekonomisë, presidenti Donald Tramp do të shkurtojë me 20% taksën për bizneset, duke shënuar uljen më të madhe në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shkurtimi i taksave, veçanërisht i asaj për bizneset që pritet të shkojë nga 35% në 15%, është një nga premtimet kryesore të fushatës elektorale të Donald Trampit. Gjatë fushatës, miliarderi amerikan premtoi edhe ndryshimin e paketës fiskale për individët, që parashikon heqjen e 4 nga 7 taksave që amerikanët paguajnë sot.
Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin, që i parapriu publikimit të buxhetit të parë të administratës së re, sqaroi se plani fiskal do të sjellë rritje ekonomike. Por sipas ekspertëve ky shkurtim drastik do të shtonte triliona dollarë defiçitit buxhetor në dekadën e ardhshme. Një tjetër pikë e rëndësishme që pritet të renditet në planin e ri është e ashtëquajtura “taksë e riatdhesimit”, që parashikon kthimin në tokën mëmë të ndërmarrjeve amerikane që kryejnë aktivitet jashtë vendit.
Por nga ana tjetër presidenti Trump është tërhequr nga premtimi për ndërtimin e murit në kufi me Meksikën. Keshilltarja e Presidentit, Kellyanne Conway tha për Fox News se financimi i tij nuk është pjesë e buxhetit të ri. Muri i shumëpërfolur bëhet një pengesë e pakapëcyeshme për Tramp. Demokratët në Kongres pritet ta rrëzojnë kërkesën për fondin mbi 1 mld dollarë për ndërtimin e tij. Tramp në fushatë kishte deklaruar se për murin 100 km të gjatë, do të jetë vetë Meksika që do të paguajë. Por nga ana tjetër e kufirit, është bërë e qartë se nuk do të hidhet asnjë qindarkë.