Trump u përgjigjet kritikëve: Synimi ishte të ndaheshin "fakte rreth terrorizmit"

Pas njoftimeve se Presidenti Donald Trump kishte nxjerrë informacione tepër sekrete në bisedimet me zyrtarët rusë gjatë një takimi në Zyrën Ovale, ai komentoi sot në Twitter se synimi i tij ishte të ndante "fakte që kishin të bënin me terrorizmin dhe sigurinë e fluturimeve ajrore" si dhe të nxiste Rusinë që të ndërmarrë më shumë veprime kundër grupit Shteti Islamik.

Komentet ishin me sa duket një përpjekje për t’iu përgjigjur njoftimeve që u publikuan dje vonë, së pari nga gazeta Washington Post dhe më pas nga media të tjera. Zoti Trump tha gjithashtu se si president ai ka "të drejtën absolute" për të ndarë informacione të tilla.

Këshilltari i Sigurimit Kombëtar amerikan, H.R. McMaster dhe anëtarë të tjerë të administratës Trump mohuan njoftimet e mediave se presidenti zbuloi informacione tepër sekrete kur ishte duke biseduar me zyrtarët rusë në Zyrën Ovale.

Njoftimi "është i rremë", u tha zoti McMaster gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë të hënën mbrëma. "Asnjëherë nuk u diskutua për burime apo metoda zbulimi dhe presidenti nuk foli për ndonjë operacion ushtarak që nuk ishte i njohur publikisht," shtoi ai.

"Unë isha vetë atje dhe asgjë e tillë nuk ndodhi", përfundoi gjeneral McMaster, para se të hynte përsëri në krahun perëndimor të Shtëpisë së Bardhë pa iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Sekretari i Shtetit Rex Tillerson, i cili tha se ishte gjithashtu i pranishëm në takimin e 10 majit me ministrin e jashtëm dhe ambasadorin rus, mbështeti përshkrimin që zoti McMaster u bëri bisedimeve. Ai tha në një deklaratë se "u diskutua një gamë e gjerë temash, ndër të cilat ishin përpjekjet e përbashkëta dhe kërcënimet përsa i përket luftës kundër terrorizmit".

Disa media amerikane njoftuan se presidenti, në takimin e Zyrës Ovale, zbuloi informacione që shihen si tepër sekrete.

Sipas njoftimeve të gazetave Washington Post, New York Times dhe mediave të tjera, informacioni i nxjerrë nga zoti Trump mund të vinte në rrezik një burim zbulimi me rëndësi të madhe lidhur me grupin Shteti Islamik si dhe mënyrën me të cilën ishte siguruar ai informacion.

Në SHBA, presidenti ka kompetencën të deklasifikojë pothuajse çdo informacion, prandaj ajo që bëri zoti Trump nuk duket të jetë diçka e paligjshme. Por zyrtarët e zbulimit, të cituar nga gazetat, shprehën shqetësimin se informacioni, i siguruar nga një qeveri partnere me SHBA, mund të dëmtojë disa marrëdhënie të rëndësishme.

Agjencia Qendrore e Zbulimit dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare, të kontaktuara nga Zëri i Amerikës, nuk pranuan të bëjnë komente.

Alarm nga selia e Kongresit

Sipas gazetës Washington Post, në takimin me Ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov dhe Ambasadorin Sergej Kislyak, Presidenti Trump me sa duket po lëvdohej rreth informacioneve të brendshme që kishte për një kërcënim të afërt me të cilin përballet aviacioni.

Informacioni, i cili shihej si tepër sensitiv, nuk ishte ndarë madje as brenda qeverisë amerikane dhe as me aleatët e SHBA, sipas gazetës New York Times.

Njoftimet u bënë menjëherë shkak për alarm mes ligjvënësve të të dyja partive në selinë e Kongresit.

"Jam i tronditur nga njoftimet se Presidenti Trump u zbuloi informacione të klasifikuara diplomatëve rusë javën e shkuar. Kjo sigurisht ngre pyetje nëse Presidenti i njeh implikimet serioze që ka nxjerrja e një informacioni të tillë të ndjeshëm përpara një kundërshtari", tha ligjvënësi Eliot Engel, numri dy i komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Punët e Jashtme. "Do të takohem këtë javë me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare McMaster në një sesion të klasifikuar dhe do të kërkoj përgjigje për atë që u zbulua dhe si mund ta ketë dëmtuar kjo sigurinë kombëtare amerikane," tha ligjvënësi.

Nënkryetari i Komisionit të Senatit për Zbulimin, demokrati Mark Warner, tha në Twitter se "vënia në rrezik e burimeve dhe metodave është e pafalshme, veçanërisht me rusët".

Komentet e zotit Trump, nëse janë të vërteta, janë një "shuplakë në fytyrë" për komunitetin amerikan të zbulimit, shtoi senatori Warner.

"Shtëpia e Bardhë duhet të bëjë diçka shpejt për ta vënë veten nën kontroll dhe rregull", u tha gazetarëve kryetari i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, republikani Bob Corker. "Është e kuptueshme se ata janë tani në një spirale që shkon në rënie, prandaj duhet të gjejnë mënyrat për të riparuar atë që po ndodh," tha senatori.

Njoftimet e medias vijnë në një kohë që Shtëpia e Bardhë mbetet e përfshirë në polemika për shkak të shkarkimit javën e kaluar nga presidenti të drejtorit të FBI-së, James Comey. Shkarkimi ndodhi një ditë para takimit me rusët në Zyrën Ovale.

FBI heton rreth lidhjeve me Rusinë

Byroja Federale e Hetimeve po heton rreth lidhjeve të dyshuara midis ekipit të fushatës presidenciale të zotit Trump dhe Rusisë.

Në një deklaratë të përbashkët, demokratët kryesorë në Komisionin e Dhomës për Mbikëqyrjen dhe Reformën Qeveritare si dhe në Komisionin Juridik të Dhomës, Elijah Cumming dhe John Conyers, kërkuan publikimin e çdo regjistrimi audio të takimit të zotit Trump me rusët javën e kaluar.

"Pas një jave të pashembullt, në të cilën shumë njerëz mendonin se ishte e pamundur që Presidenti Trump të tregohej më i papërgjegjshëm se aq, tani ai mund të ketë rënë në një nivel edhe më të rrezikshëm,” thuhej në deklaratë.​