Trump sulmon Kinën: Po pengon përparimin me Korenë e Veriut

536
Sigal

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka sulmuar Kinën, duke thënë se po e minon punën e saj me Korenë e Veriut, për denuklearizimin e vendit komunist.

Në një seri postimesh në Twitter, Trump po ashtu tha se SHBA nuk duhet të shpenzojë në lojëra të luftës me Korenë e Jugut, por “nëse ato rinisin, atëherë do të jenë më të mëdha se kurrë”.

SHBA i ka pezulluar stërvitjet e tilla ushtarake, të cilat vazhdimisht e zemërojnë Phenjanin, pas takimit historik të Trumpit me liderin verikorean, Kim Jong Un, në muajin qershor.

Por, ditë më parë, sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, tha se ushtrimet ushtarake mund të vazhdojnë.

Debati për lojërat e luftës vjen në kohën kur shumë vëzhgues thonë se Koreja e Veriut nuk po bën mjaftueshëm për të çmontuar lokacionet bërthamore dhe raketore.

Trump dhe Kim janë pajtuar që të punojnë për denuklearizimin e plotë të Gadishullit Korean, por marrëveshja e tyre, e arritur gjatë takimit në Singapor, është kritikuar për mungesë detajesh.