Trump së shpejti vizitë shtetërore në Kinë

478
Presidenti amerikan Donald Trump ka pranuar ftesën e homologut të tij Xi Jinping për të vizituar Kinën. Trump po mirëpret presidentin kinez në një vizitë dy-ditore në rezidencën e tIj në Mar-a-Lago në Florida.

Vitin e kaluar, Trump foli me tone të ashpra ndaj Kinës dhe gjatë fushatës, e etiketoi superfuqinë aziatike si një manipuluese të parasë. Sidoqoftë, takimi duket të ketë qenë diplomatik, teksa të dy liderët kanë rënë dakort në krijimin e një formati të ri të bisedimeve mes SHBA-së e Kinës.

Sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, i cili konfirmoi se Trump kishte pranuar ftesën e Xi, tha se presidenti amerikan do të kryejë një vizitë shtetërore gjatë këtij viti, por pa u ndalur në të tjera detaje. Atmosfera mes liderëve ishte pozitive, shton Tillerson dhe të gjithë kanë pritshmëri të larta për rezultatet e këtij takimi.

Liderët e dy ekonomive më të fuqishme të botës ranë dakord në krijimin e një plani 100-ditor për të diskutuar rritjen e eksporteve amerikane dhe reduktimin e deficitit tregtar të Uashingtonit me Kinën.

Trump beson se ai ka bërë “progres të jashtëzakonshëm” në lidhjet SHBA-Kinë gjatë bisedimeve me zotin Xi. Por sulmi amerikan ndaj bazës ajrore në Siri, do të jetë një faktor tepër ndikues në këtë marrëdhënie, pasi Kina ndan qëndrime më të afërta me Rusinë lidhur me çështjen siriane.
Sigal