Trump: Rusia, e suksesshme në prishjen e peizazhit politik në SHBA

630
Presidenti Trump tha se Rusia ka qenë jashtëzakonisht e suksesshme në prishjen e peizazhit politik të Shteteve të Bashkuara me ndërhyrjen në zgjedhjet e vitit 2016 për shkak të hetimeve të mëvonshme disa muajore që pasuan.
“Në qoftë se qëllimi i Rusisë ishte të krijonte mosmarrëveshje, përçarje dhe kaos në Shtetet e Bashkuara,” tha zoti Trump në një koment në Twitter, “atëherë, me të gjitha seancat dëgjimore, hetimet dhe urrejten e partisë republikane, ata kanë arritur të realizojnë ëndrrat e tyre. Ata po qeshin me arritjet e tyre në Moskë. Zgjohu Amerikë!”
Në një seri postimesh, presidenti vazhdoi sulmet mbi hetimin për lidhjet e mundshme të fushatës së tij me Rusinë. Zoti Trump kritikoi gjithashtu këshilltarin e tij të sigurisë kombëtare H.R. McMaster, i cili tha dje se kishte prova “të pakundërshtueshme” të ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhje, një ditë pasi prokurori i posaçëm Robert Mueller akuzoi 13 shtetas rusë dhe tre entitete ruse për kryerjen e një ” beteje informacionesh “për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe për të ndihmuar zotin Trump të fitojë.
“Unë kurrë nuk thashë se Rusia nuk ndërhyri në zgjedhje, thashë se mund të jetë Rusia, Kina apo një vend tjetër apo grup vendesh, apo një gjeni prej 200 kilesh ulur në shtrat dhe që luan me kompjuterin e tij,” shkroi zoti Trump në Twitter. “Renga” e Rusisë ishte se fushata e Trumpit bashkëpunoi me Rusinë – ajo kurrë nuk ndodhi! ”
Trump tha se gjenerali McMaster “harroi të thotë se rezultatet e zgjedhjeve të 2016-ës nuk u ndikuan apo ndryshuan nga rusët dhe se bashkëpunimi i vetëm që ndodhi ishte mes Rusisë dhe kundërshtares së tij demokrate Hillary Clinton.
Gjithashtu, Presidenti Trump lavdëroi me sarkazëm një nga kundërshtarët politikë, ligjvënësin Adam Schiff, kreu i demokratëve në Komisionin për Zbulimin të Dhomës së Përfaqësuesve, i cili ishte shprehur se administrata e ish-Presidentit Barack Obama mund të kishte bërë më shumë për të parandaluar sulmet kibernetike, pas ndërhyrjes në vitin 2014 në serverat e kompanisë së filmave Sony Pictures. Duke folur për kanalin NBC, zoti Schiff tha se “mendoj se të tjerë në mbarë botën që po vështronin, konkluduan se ndërhyrja kibernetike është një ndërhyrje pa kosto”.
Presidenti Trump shkruajti në Twitter: “Më në fund, i vogli Adam Schiff, përbindëshi i rrjedhjes së informacionit, po fajëson tani administratën Obama për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e 2016-ës. Më në fund, ai ka të drejtë për diçka. Obama ishte Presidenti; ishte në dijeni të rrezikut dhe nuk bëri asgjë. Faleminderit, Adam!”.
Sigal