Trump kërcënoi me masa të ashpra pas sulmit në Siri, reagon Rusia: Vetëm provoni

717
Seanca urgjente e Këshillit të Sigurimit është thirrur për shkak të sulmit me armë kimike në qytetin kryengritës Duma në Siri fundjavën e kaluar në të cilin kanë vdekur së paku 49 njerëz.
Forcat perëndimore e akuzojnë për këtë sulm qeverinë siriane dhe aleatët e saj Rusinë dhe Iranin të cilët e mohojnë se sulmi ka ndodhur në të vërtet.
“Nuk ka pasur asnjë sulm kimik, ka thënë ambasadori rus Vasilij Nebenzia.
“Nëpër kanale të caktuara të komunikimit tashmë i kemi bërë me dije SHBA se përdorimi i forcës ushtarake, nën pretekst të rremë, kundër Sirisë ku me kërkesë legjitime të qeverisë siriane janë vendosur ushtarët rus, mund të sjellë deri te pasoja të paparashikueshme”, ka theksuar ai.
Nebenzija ka shtuar se hetuesit e Agjencisë së KB për armë kimike duhet të shkojnë në Siri dhe iu ofroi mbrojtje të ushtrisë ruse dhe qeverisë siriane.
Ambasadorja amerikane Nikki Haley ka theksuar se SHBA do të përgjigjet për sulmin vdekjeprurës kimik në Siri, pa marrë parasysh se a do të reagojë Këshilli i Sigurimit apo jo.
Pas kërcënimit të presidentit amerikan Trump se “vendimet e rëndësishme” do të merren në “24/48 orët e ardhshme”, pasi e ka paralajmëruar regjimin sirian dhe aleatët e tij në Moskë dhe Teheran se mund të “paguajnë çmim të lartë” për këtë shkak, lajmërohet edhe ministri amerikan i mbrojtjes Jim Mattis. “Në këtë kohë nuk përjashtoj asgjë, ka thënë duke u përgjigjur se a janë të mundura goditjet ajrore amerikane në Siri.
Presidenti Rus Vladimir Putin e ka dënuar “këtë provokim të papranueshëm dhe supozime” për atë “gjoja” sulm kimik.
Kryeministrja britanike Theresa May ka deklaruar të hënën se komuniteti ndërkombëtar duhet të merr qëndrim më të vendosur ndaj atyre të cilët e kanë kryer këtë sulm.
Sigal