Trump Jr minimizon takimin me avokaten ruse

636
Djali i Presidentit amerikan Trump, Donald Trump Jr, nuk i kushtoi rëndësi takimit të tij vitin e kaluar me një avokate ruse, që mendohet se synonte t’i jepte atij informacione diskredituese për kandidaten demokrate Hillary Clinton. Ai tha mbrëmë se i ati nuk kishte dijeni për takimin.
Duke folur mbrëmë vonë në programin Hannity të kanalit Fox News, Donald Trump Jr. tha se takimi që zgjati 20 minuta ishte një humbje kohe:
“Nëse nga takimi do të rezultonte diçka e dyshimtë, nëse do të kishte ndonjë rrezik për sigurinë kombëtare, unë patjetër që do ta denoncoja diku. Por rezultoi se asgjë nuk pati.”
Ndërkohë, ligjvënës të të dyja partive u shprehën publikisht se takimi midis zotit Trump Jr dhe avokates ruse, e dyshuar si ndërmjetëse e Moskës, ka nevojë të shihet më nga afër.
Në një rrugë, në afërsi të Shtëpisë së Bardhë, një grup njerëzish protestonin kundër Presidentit Trump, ndërkohë që hetimit rreth një bashkëpunimi të mundshëm mes ekipit të fushatës së tij me Rusinë gjatë zgjedhjeve presidenciale po i shtohen elemente të reja.
“Amerikanët meritojnë të dinë faktet dhe në fund të fundit do të jenë njerëz të rinj si unë që gjatë shumë viteve në të ardhmen do të duhet të pastrojnë rrëmujën e krijuar. Ne nuk do të harrojmë se si republikanët e Kongresit po veprojnë përballë këtyre dëshmive dhe do të jemi ne ata që do t’i mbajmë përgjegjës për atë që do të bëjnë ata në ditët e ardhshme”, – thotë Maggy Thompson.
Faktet e reja të zbuluara këto ditë që lidhen me zotin Trump Jr, vijnë në klimën e hetimeve të shumta nga Kongresi dhe të një hetimi kriminal nga një prokuror i posaçëm rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.
Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov tha në Bruksel se ishte “habitur” që zoti Trump Jr akuzohej për bashkëpunim me avokaten ruse.
Zoti Lavrov tha se për herë të parë kishte dëgjuar rreth takimit midis djalit të Presidentit Trump dhe avokates Natalia Veselnitskaya të hënën. Megjithatë, ai nuk u përgjigj nëse ekzistonte ndonjë lidhje mes Veselnitskayas dhe qeverisë ruse.
Ai tha se mediat “perëndimore” po krijonin zhurmë nga asgjëja.
Komuniteti amerikan i inteligjencës ka arritur tashmë në përfundimin se ishte presidenti rus Vladimir Putin që drejtoi personalisht një fushatë me synimin për të diskredituar zgjedhjet në SHBA, duke dëmtuar reputacionin e kandidates Clinton dhe duke ndihmuar zotin Trump të fitonte kundër saj.
Sigal