Trump i vendosur: Nuk miratoj ligje nëse s’përfshihet ndërtimi i murit në kufi me Meksikën

525
Sigal

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, ka kundërshtuar çdo vendim i cili nuk përfshin ngritjen e një “muri të vërtetë” në kufirin me Meksikën, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një prononcim për Fox & Friends, Trump tha se nuk do të miratojë asnjë ligj i cili nuk do të përfshijë edhe ngritjen e një “muri të vërtetë bashkë me një siguri të fortë” në kufirin me Meksikën.

Trump tha muajin e kaluar se deri në përfundimin e punimeve për ngritjen e murit në kufirin amerikano-meksikan, zona do të sigurohet nga ushtria amerikane.

Sipas asaj që dihet, në SHBA jetojnë rreth 11,2 milionë emigrantë të paligjshëm, shumica e të cilëve janë meksikanë.

Vetëm pesë ditë pasi mori detyrën e presidentit amerikan, Trump nënshkroi një vendim që parashikon ngritjen e një muri në kufirin me Meksikën, me qëllim të parandalimit të migrimit të paligjshëm dhe forcimin e sigurisë kufitare.

Trump kishte thënë se kostoja do të binte mbi Meksikën, por presidenti i atij vendi, Enrique Pena Nieto, tha se kjo nuk do të ndodhë.