Trump emëron Sekretar të Energjisë Rick Perry

423
Sigal

Donald Trump, Presidenti I zgjedhur Amerikan ka vendosur të
emërojë ish-kundërshtarin politik dhe ish-guvernatorin e Teksasit Rick Perry,
në krye të Departamentit të Energjisë. Në të kaluarën ish-guvernatori Perry ka
propozuar eliminimin e Departamentit të Energjisë për të ulur shpenzimet
qeveritare.

Rick Perry ka shërbyer 14 vjet si guvernator i Teksasit dhe
ishte kandidat për president në zgjedhjet paraprake të republikanëve në vitet
2012 dhe 2016.

Në vitin 2011, në garën e tij të parë për president, zoti Perry
bëri një gafë që ia prishi shanset për të marrë emërimin e partisë republikane.
Gjatë një debati televiziv, zoti Perry bëri thirrje për eliminimin e tre
agjencive qeveritare federale, Departamentin e Tregtisë, Departamentin e
Arsimit, por atij nuk iu kujtua departamenti i tretë.

Rick Perry, një konservator i palëkundur, mund ta zhvendosë
Departamentin e Energjisë larg fokusit të tanishëm që është energjia e
përtëritshme e që mbështetet nga Presidenti Barack Obama, dhe ta kthejë
vëmendjen tek nafta dhe hidrokarburet, që zoti Perry mbështet në Teksas, një
shtet i pasur me naftë.Zoti Perry është një skeptik i zëshëm i ndryshimeve
klimatike të shkaktuara nga njeriu, por gjatë mandadit si guvernator ai e
shndërroi Teksasin në një prodhues të madh të energjisë së erës.

Në fillim të fushatës së zgjedhjeve paraprake republikane këtë
vit, zoti Perry e quajti zotin Trump “kancer të konservatorizmit.”