Trump do të emërojë avokatin Christopher Wray si shef të FBI-së

92
Presidenti Donald Trump tha se do të emërojë një ish-zyrtar të Departamentit të Drejtësisë si drejtor të Byrosë Federale të Hetimeve.
Zoti Trump tha me anë të një komenti në Twitter se personi që do të emërojë në këtë post, avokati Christopher Wray, ka kredenciale të shkëlqyera, por nuk dha hollësi të tjera.
Christopher Wray është pjesë e një liste ish-prokurorësh, politikanësh dhe zyrtarësh ligjzbatues të intervistuar nga zoti Trump, që kur presidenti shkarkoi drejtorin e FBI-së James Comey muajin e kaluar.
Avokati Wray ka përfaqësuar guvernatorin e Nju Xhersit Chris Christie gjatë hetimeve rreth çështjes së mbylljes së korsive në Urën George Washington. Dy ish-ndihmës të zotit Christie u shpallën fajtorë se ishin përpjekur të mbyllnin korsitë e urës për të ndëshkuar një kryebashkiak demokrat.
Zoti Wray ka punuar për Departamentin e Drejtësisë nën presidentin Xhorxh W. Bush.