Trump do që të shtojë arsenalin bërthamor të SHBA-së, garë me Rusinë

507
Sigal

Përmes një komenti dje në Twitter presidenti I
sapozgjedhur Donald Trump tha se: “Shtetet e Bashkuara duhet të forcojnë dhe
zgjerojnë kapacitetet e tyre bërthamore, deri në ditën kur botës t’i vijnë mendtë
lidhur me armët bërthamore”. Ky koment mund të sinjalizojë një garë armatimesh
në administratën e ardhshme. Garë kjo midis Rusisë dhe SHBA se kush do jetë
superfuqia bërthamore.

Ndërkohë sot rrjeti televiziv MSNBC njoftoi se
presidenti i zgjedhur kishte thënë në komentet për këtë kanal: “Le të fillojë
gara e armatimeve. Do t’ua kalojmë të gjithëve në çdo element”. Zëdhënësi i
zotit Trump, Sean Spicer, tha se nuk do të ketë garë armatimesh, pasi “vendet e
tjera do të vënë mend”. Zëdhënësi i ekipit të tranzicionit për zotin Trump,
Jason Miller tha se presidenti i zgjedhur e kishte fjalën për nevojën që të
merren masa për të penguar rënien e këtyre armëve në duart e terroristëve apo
vendeve të papërgjegjshme.

Zoti Trump nuk ka ofruar kontekst shoqërues për
komentet e tij.

Vladimir Putin u ndal tek kjo temë në konferencën e
tij të sotme për shtyp. Ai tha se nuk sheh asgjë të pazakontë në komentet e
presidentit të ardhshëm amerikan:

“Kur bëhet fjalë për presidentin e zgjedhur
amerikan, zotin Trump, nuk ka asgjë të re në këto komente. Edhe gjatë fushatës
ai ka folur për nevojën për të forcuar kapacitetet bërthamore dhe forcat e
armatosura amerikane; nuk ka asgjë të re në këto komente,” tha zoti Putin
në konferencën e fundvitit.

Komentet e presidentit të zgjedhur amerikan ishin
një ndër temat e ngritura dje gjatë konferencës së përditshme për shtyp në
Departamentin e Shtetit. Zëdhënësit John Kirby iu drejtua pyetja nëse komente
të tilla janë dëshmi e argumenteve të ngritura nga ish-kandidatja demokrate
Hillary Clinton se zoti Trump nuk ka temperament të qëndrueshëm për të marrë
komandën e armëve bërthamore:

“Nuk më takon mua ta them. Nuk mund të flas për
presidentin e zgjedhur apo politikat e tij bërthamore. Por mund të flas për
politikat që ka ndjekur kjo administratë në përpjekje për një botë pa armë
bërthamore. Kemi reduktuar rolin e armëve bërthamore në strategjinë tonë të
sigurisë, dhe së treti kemi arritur marrëveshjen me Iranin me synimin për të
ndalur përhapjen e armëve bërthamore”.

Një ndër politikat e administratës Obama ka qenë dhe
marëveshja me Iranin, kjo e fundit e shumëkritikuar nga Trump gjatë fushatës së
tij.