Trump dhe Merkel në Paris por për qëllime të ndryshme

436
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, me ftesë nga homologu i tij francez, Emanuel Macron, mbërriti sot në Paris për të marrë pjesë në festimet për ‘Ditën e Bastijës’ e cila është festa kombëtare e Francës.

Gjatë orëve në vijim, Trump dhe Macron do të zhvillojnë një takim bilateral, që do të pasohet nga një konferencë për mediat.

Gjatë bisedës liderët do të përpiqen që të gjejnë hapësira për të bashkëpunuar për cështje me rendësi në arenën ndërkombëtare si dhe pritet të ketë një konfirmim të qëndrimeve të përbashkëta lidhur me konfliktin e Ukrainës si dhe luftën në Siri.

Më tej, të shoqëruar nga bashkëshortet e tyre, Trump dhe Macron do të darkojnë në një restorant në kullën Eifel sot në mbrëmje.

Dita e neserme pritet të vijojë me ndjekjen e Paradës Ushtarake e cila nis gjatë orëve të mëngjesit. Kjo është vizita e dytë e Trump në Europë pas asaj të javës së shkuar ku mori pjesë në Samitin e G20.

Gjatë ditës së sotme, në Paris ndodhet edhe kancelarja Merkel, e cila pas Samitit të Triestes me liderët e Ballkanit ka preferuar të zhvillojë një takim bilateral me Presidentin Macron në pallatin presidencial francez.

Pjesë e bisedës mes tyre ka qënë pikërisht kriza e emigrantëve, pas shprehjes së pakënaqësive nga ana e Italisë.

Megjithatë, palët kanë diskutuar gjithashtu çështje të ndjeshme të arenës ndërkombëtare.
Sigal