Trump braktiset edhe nga republikanë të tjerë

396
Sigal

Gazeta Telegraf/ Dymbëdhjetë republikan kanë thënë se nuk do të votojnë për kandidatin presidencial Donald Trump, pasi u bënë publike disa komente të tij të turpshme për femrat.Trump këmbëngul se nuk do të heqë dorë nga gara presidenciale dhe nuk do të zhgënjejë mbështetësit e tij. Presioni ndaj Trump është shtuar shumë, pasi u publikua një regjistrim i vitit 2005, ku ai dëgjohet të mburret për kontakte fizike me femrat.Mes emrave më të fundit që tërhoqën mbështetjen për Trump janë ish-kandidati presidencial John McCain dhe ish-Sekretarja e Shtetit Condoleezza Rice. McCain tha se fjalët e Trumpit e bëjnë të pamundur që ta mbështesë miliarderin edhe pjesërisht, ndërsa Condoleezza Rice tha se Trumpi duhet të tërhiqet nga gara.Ndërsa senatorja e New Hampshire, Kelly Ayotte tha se nuk mund të mbështesë një kandidat që mburret sesi ofendon femrat. Ayotte tha gjithashtu se nuk do të votojë për Hillary Clintonin, por në fletën e votimit do të shkruajë emrin e kandidatit për zëvendëspresident Mike Pence, siç kanë deklaruar se do të bëjnë edhe disa republikanë të tjerë.Në regjistrimin e vitit 2005, Trump dëgjohet të thotë se “kur je një yll apo njeri i famshëm dhe i pasur, mund të bësh ç’të duash me femrat”.Komentet e tij janë dënuar edhe nga njerëzit e tij të afërt, si bashkëshortja Melania, apo zëvendëskandidati Mike Pence, por këtë të fundit thanë se Trump ka treguar keqardhje për to dhe ka kërkuar falje.Sonte në mbrëmje do të zhvillohet debati i dytë mes Trump dhe rivales së tij, Hillary Clinton, ndaj dhe analistët thonë se bazuar në ngjarjet më të fundit, përballja pritet të jetë shumë më e nxehtë sesa herën e parë, duke qenë se sulmet mund të prekin edhe aspektet personale.