Treni nga Beogradi niset për në Mitrovicë, Kosova e sheh si provokim

252

Qeveria Serbe ka celur sot zyrtarisht linjën hekurudhore Beograd-Mitrovicë. Pjesa e jashtme e trenit është e dekoruar me ngjyrat e flamurit të Serbisë dhe me mbishkrimin “Kosova është serbe”.

Në ceremoninë e nisjen e trenit të parë, ka qenë i pranishëm edhe drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, ndërsa udhëtimin me këtë tren e ka vazhduar zëvendësi i tij, Dushan Kozarev, dhe drejtori i hekurudhave të Serbisë, Mirosllav Stojçiç.
Autoritetet në Prishtinë kanë reaguar menjëherë duke e konsideruar këtë linjë hekurudhore ilegale dhe si një provokim të radhës për destabilizimin e situatës në Kosovë.
Ministrja për dialog e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se kjo është një ndërhyrje agresive në sovranitetin shtetëror të Kosovës dhe një dëshmi tjetër se Serbia po kërkon të destabilizojë Kosovën.
Ajo i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që ta ndal trenin ilegal të Serbisë në shtetin e Kosovës.
“Serbia po vazhdon me provokime të rënda ndaj Kosovës në kundërshtim me frymën e dialogut të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore mes dy shteteve”, tha Edita Tahiri duke shtuar se Serbia po bëhet rrezik për paqen dhe stabilitetin në rajon.