“Tregtarët e vdekjes” kapen me 650 mijë euro heroinë e kokainë

505
Një grup që merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike është goditur nga policia italiane, duke çuar në pranga liderin e organizatës, Luigi De Cesare, 40-vjeçar nga San Severo, ndërsa midis të arrestuarve është edhe një shqiptar, i quajtur Tafil Lecini, 43 vjeç, i cili merrej me furnizimin e kokainës dhe heroinës.

Operacioni i koduar “Tremujor” përfundoi me goditjen e organizatës, e cila vlerësohet se kishte një qarkullim parash prej 60 mijë eurosh në javë. Grupi merrej me shpërndarjen e drogës në San Berardino Scampia në Napoli.

Ata janë cilësuar si “tregtarët e vdekjes” nga policia gjatë konferencës për shtyp. Hetimi fillestar ndaj tyre nisi pas vetëvrasjes së Roberto Giuliani më 29 dhjetor të vitit 2015, në fshatin Borgo Celano.

Hetimet e mëvonshme zbuluan se Giuliani kishte varësi ndaj heroinës dhe pak momente përpara se të kryente aktin e vetëvrasjes është përpjekur për të kontaktuar njërin prej të arrestuarve.

Grupi kujdesej mirë që të mos binte nën duart e policisë dhe për këtë, kishte “shpërndarë” kodet e komunikimit edhe tek blerësit, të cilët shërbenin gjithashtu si informues të pranisë së forcave të rendit, apo shpesh ndryshonin edhe takimet ndryshe nga se i kishin lënë gjatë telefonatave.

Gjatë operacionit, policia ka sekuestruar 8 kg heroinë të fshehur nën tokë, nga e cila do të mund të nxirreshin 15,750 doza. Gjithashtu është sekuestruar edhe rreth 1 kg kokainë dhe 90 gramë marihuanë.

Vlera e drogës nëse do të shitej në tregun me pakicë do të kapte shifrën e 650 mijë eurove. Policia ka sekuestruar gjithashtu edhe 2 300 euro para të gatshme të ardhura nga aktiviteti i paligjshëm.
Sigal