Trazira të dhunshme në Athinë, Cipras bën thirrjet e fundit për Jo-në

476
Sondazhet tregojnë fitore të lehtë të Po-së. Përçahet koalicioni qeveritar
Riot police detains a demonstrator, background, as their colleagues try to avoid items thrown by anarchists before a rally organized by supporters of the No vote in Athens, Friday, July 3, 2015. Greeks will vote Sunday on whether to accept a proposal that creditors had made of specific reforms in exchange for loans. European Union institutions are framing it as a vote for or against the euro. (AP Photo/Thanassis Stavrakis)
Greqia është e qartë se tashmë po shkon drejt një referendumi masiv, rezultatet e të cilit nuk mund të parashikohen dot, pavarësisht sondazheve. Sidoqoftë, palët janë ravijëzuar dhe dje ka qenë një ditë e ngjeshur me protesta e tubime të të dyja palëve, që përfunduan me ato të pasdites në Athinë. Ndërsa ka dalë dje në mbrëmje para mbështetësve të tij e të votës kundër masave shtrënguese, Kryeministri grek, Aleksis Cipras, ka deklaruar se çfarëdo që të ndodhë gjatë fundjavës, do të jetë një festë e demokracisë. Ai tha se grekët janë të vendosur t’i marrin fatet e tyre në dorë. cipras fjalimi“Referendumi i së dielës është për qëndrimin në Europë dhe vendimin për të jetuar me dinjitet në Europë”, tha ai. Më parë, gjatë të enjtes duke u gdhirë e premte, disa qindra anarkistë u përleshën me policinë greke. Trazirat nisën menjëherë pas një proteste që anarkistët bënë ndaj votës “Jo” në referendumin e së dielës. Policia tha se ndaloi disa të rinj, ndërsa në rrugët e lagjes “Eksarqia” disa makina të parkuara u dëmtuan nga gurët që demonstruesit hodhën në drejtim të forcave të rendit. Tensionet në sheshin kryesor të “Eksarqias” zgjatën për disa orë, për t’u qetësuar disi mëngjesin e djeshëm. Ndërkohë, autoritetet greke thanë se kishin vënë në alarm mijëra forca të rendit për të parandaluar aktet e dhunës gjatë tubimeve paralele të paralajmëruara të pasdites në Athinë. Mitingje nga të dyja kampet, të mbështetësve të masave shtrënguese në Greqi dhe të kundërshtarëve të tyre e njëkohësisht mbështetës të radikalëve të majtë, janë shënuar deri orët e fundit të fushatës njëjavore përpara referendumit të së dielës. Policia greke ndërhyri gjithashtu në kampin e protestuesve mbështetës të “Jo”-së, të mbledhur në sheshin qendror të Athinës “Syntagama”, dje në mbrëmje, para mbërritjes së Ciprasit, ku turma priste me padurim ardhjen e Kryeministrit. Policia hodhi bomba tymuese dhe u përlesh me një duzinë protestuesish, shumica e të cilëve të veshur me të zeza dhe me mburoja në kokë, por situata duket se u mor sërish nën kontroll.
Apeli i Syriza-s
Partia në pushtet Syriza u ka bërë apel personave që duan të votojnë “Jo” në referendumin e së dielës, të protestojnë ndaj lëvizjeve të Bashkimit Europian dhe masave të bllokimit të programit të ndihmës për Greqinë. Kryeministri grek, Aleksis Cipras, në një mesazh të tretë televiziv brenda pak ditësh, u ka bërë përsëri thirrje grekëve të votojnë kundër paketës së ndihmës, që i paraqesin huadhënësit Greqisë. Mesazhi i tij erdhi vetëm pak momente para se Gjykata më e lartë Administrative e vendit të refuzonte apelin për të pezulluar referendumin e së dielës, siç thanë katër zyrtarë të gjykatës për agjencinë “Reuters”, duke i hapur rrugë kështu mbajtjes së tij pa asnjë pengesë ligjore. “Çfarëdo të kemi zgjedhur të dielën, absolutisht asgjë nuk duhet të na ndajë të hënën. Askush nuk e vë në dyshim praninë tonë në Europë. Vota “Jo” për një marrëveshje që nuk është jetike, nuk do të thotë një shkëputje me Europën. Ajo nënkupton vazhdimin e negociatave me kushtet më të mira për popullin grek.

Cipras: Jo ultimatumeve!
“Unë ju ftoj të gjithëve të thoni ‘Jo’ ndaj ultimatumeve, ndaj shantazheve, ndaj fushatës së terrorit”, tha Kryeministri grek, Aleksis Cipras. Cipras i është referuar raportit të FMN-së, që kërkon si zgjidhje për çështjen greke reduktimin e borxhit të vendit, një prej kërkesave që edhe Greqia e ka paraqitur ndaj kreditorëve. Gjithashtu, ky raport ka theksuar se, Athinës do t’i duhet që të dalë nga rruga e shkatërrimit, një paketë e tretë ndihme prej 50 miliardë eurosh. Po ashtu, pas një mbledhjeje urgjente, që ministri i Financave, Janis Varufakis, pati me drejtorët e katër bankave kryesore të Greqisë, është bërë me dije se, bankomatet (ATM) do të kenë parà ‘cash’ për të tërhequr qytetarët deri ditën e hënë, pas referendumit, më pas çdo gjë do të varet nga BQE-ja. Disa agjenci të huaja citonin dje lajmet nga Banka Qendrore Greke të thoshin se fondet e saj po shterojnë dhe se paratë e saj mund të mjaftojnë realisht deri të enjten apo fundjavën që vjen për të mbuluar nevojat më bazike që lidhen me pagesat jetike ndaj grekëve.
Përçahet koalicioni qeveritar
Por, duket se referendumi ka përçarë edhe koalicionin qeverisës. Katër deputetë të Grekëve të Pavarur kanë deklaruar se do të votojnë “pro” reformave të propozuara nga europianët, ndërsa njëri prej tyre ka dhënë edhe dorëheqjen nga koalicioni. Po ashtu, kreu i opozitës, Antonis Samaras, ka deklaruar në mesazhin e tij televiziv se, Kryeministri Cipras kërkon të ndryshojë ecurinë europiane të vendit dhe se, as që ka për të sjellë një marrëveshje brenda 48 orësh, siç premton, pas mbarimit të referendumit. Në krahun tjetër, ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schaeuble, tha gjatë një interviste për një të përditshme gjermane, se ai vetë parashikon që çdo bisedim me Greqinë mbi një marrëveshje ndihme në këmbim të reformave do të jetë “tejet i vështirë” pas referendumit të së dielës në Greqi. “Greqia ka nevojë për reforma, por tashmë e di qartësisht se këto do të jenë negociata tepër të vështira”, ka thënë Schaeuble për të përditshmen “Bild”. Ai ka shtuar se situata në Greqi “është përkeqësuar ndjeshëm” gjatë javëve të fundit.
Çfarë do të ndodhë me referendumin e së dielës?
Disa orë para se grekët të shkojnë drejt kutive të votimit, për të votuar ‘pro’ ose ‘kundër’ paketës së ashpër të masave të huadhënësve, tri sondazhe të fundit tregojnë se të dyja mundësitë kanë pothuajse të njëjtën përqindje. Në dy sondazhe, kahu i atyre që votojnë “Jo” kryeson me 0.5%, ndërsa në të tretin janë votuesit që thonë “Po”, ata që kryesojnë me 1,4%. Të pavendosurit shkojnë deri në 11%, ndërsa 74% – 81% e grekëve duan qëndrimin në Eurozonë. Sondazhi i kryer nga Instituti ALCO, i publikuar edhe dje në gazetën “Ethnos”, bën të ditur se kampi që pritet të votojë “po” është ngjitur në rreth 44,8%, kundrejt kampit që pritet të votojë “jo” me 43,4%. Por ky kryesim është brenda atij që quhet marzh gabimi i sondazhit, ndërsa 11,8% e votuesve janë ende të pavendosur.
Sigal