Sigal

Një 28-vjeçar shqiptar është gjetur i plagosur në një rrugë në Genova. Mediat italiane raportojnë se ka qenë një punonjës sigurie që ka vërejtur personin e plagosur të shtrirë përtokë, ndërsa më pas ka njoftuar policinë.

Fill pas mbërritjes në vendin e ngjarjes së ambulancës, shqiptari, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, është transportuar me urgjencë në spitalin ‘Villa Scassi’. “Ansa” shkruan se aktualisht ai është jashtë rrezikut për jetën.

Mësohet se ai kishte marrë një plagë në bark dhe një në këmbë, ndërsa nuk jetonte në Genova, por kishte qenë për vizitë tek vëllai i tij. Gjatë marrjes në pyetje nga policia i riu ka heshtur, ndërsa nuk ka dhënë detaje rreth ngjarjes në fjalë. Policia po heton rreth plagosjes, ndërsa po kontrollon kamerat e sigurisë në zonë për të parë nëse është regjistruar agresioni.