Sigal

ITALI-Është rritur bilanci i viktimave nga shembja e urës në autostradën A10 në Genova. Sipas mediave italiane deri më tani kanë humbur jetën 35 persona.

Nga shembja e urës raportohet se kanë rënë edhe rreth 30 autovetura dhe 3 kamione. 4 persona janë nxjerrë të gjallë, ndërsa janë dhjetëra të plagosur. 8 persona raportohen të zhdukur, teksa mes viktimave është edhe një fëmijë.  Mediat vendase raportojne se numri i viktimave mund të rritet me kalimin e orëve.

Ministri italian i transportit tha se është një tragjedi e thellë. “Po e ndjek me shqetësim situatën në Genova dhe që me sa duket është një tragjedi e madhe. Jemi në kontakt të ngushtë me Autostradat dhe po shkojmë në vend me zëvendësministrin Rixi. Ndodhem pranë qytetit në këto orë”, shkroi në Twitter ministri i Infrastrukturës dhe Transportit Danilo Toninelli.

LIVE GENOVA

Bëhet fjalë për urën Morandi, që lidh Genovën Perëndimore me Ligurian. Një pjesë e urës ka rënë mbi banesa e objekte të tjera. Në vend kanë shkuar një numër i madh ambulancash, zjarrfikësish dhe forcash policie. Corriere shkruan se ka persona nën rrënoja dhe janë aktivizuar njësitë e qenve për të kryer kërkime.

Dhjetëra telefonata kanë mbërritur në policinë italiane, ndërsa fotot janë postuar në “Facebook”.

Dyshohet se ajo që ka shkaktuar shembjen e urës mund të ketë qenë një kolaps strukturor, që ka ndodhur në pjesën që kalon mbi rrugën “Walter Fillak” në zonën e Sampierdarena.

Të dyja karrexhatat kanë rënë në tokë për rreth njëqind metra. Në autostradën A10 Genova-Savona është mbyllur kryqëzimi midis A7 Milano-Genova dhe Genova Aereoport në të dy drejtimet.

Më 6 gusht një autocisternë me lëndë djegëse shpërtheu në zonën Borgo Panigale, në Bolonja duke lënë të vdekur një person dhe plagosur 67 të tjerë. Si pasoje e shpërthimit një pjesë e urës së Bolonjës u rrëzua.