Tragjedi tjetër në Egje, mbyten 39 klandestinë, mes viktimave 2 fëmijë

675
Ka shkuar në 39 numri i të vdekurve nga tragjedia e ndodhur sot në brigjet e Çanakalesë në Turqi, ku një anije e mbushur me klandestinë u fundos ende në rrethana të panjohura, raporton Anadolu Agency (AA). Sipas informacioneve të marra, roja bregdetare në operacionin e kërkim-shpëtimit ka arritur të gjejë edhe 6 trupa të tjerë të klandestinëve të mbytur nga fundosja e anijes.
Sigal

Trupat e personave të gjetur janë dërguar në spitalin shtetëror të Ajvaxhëk-ut, kështu numri i të mbyturve në këtë tragjedi arriti në 39, mes tyre dy fëmijë. Burimet thonë se operacioni i kërkim-shpëtimit ende është duke vazhduar.

Më para roja bregdetare turke kishte njoftuar mbytjen e 33 personave dhe se në operacionet e kërkim-shpëtimit kishte arritur të shpëtojë 75 klandestinë. Klandestinët ishin duke u përpjekur për të kaluar detin nga Turqia drejt ishujve grek, ndërkohë roja bregdetare turke ka marrë një thirrje për ndihmë rreth orës 04:50 të mëngjesit të sotëm ku menjëherë më pas ka nisur edhe operacionin e kërkim-shpëtimit.

Gjatë ditës së sotme Xhandarmëria turke njoftoi arrestimin e një personi i cili dyshohet se po organizonte trafikun e paligjshëm të qenieve njerëzore, duke i mundësuar kështu kalimin klandestinëve nga Turqia drejt Greqisë.