Tillerson dhe Lavrov takohen në Manila, diskutojnë për marrëdhëniet

539
Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson tha të hënën se ai dhe Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov diskutuan për “shumë punë” që sipas tij duhen bërë lidhur me marrëdhëniet mes SHBA dhe Rusisë.
Dy kryediplomatët mbajtën bisedime në periferi të një forumi rajonal në Filipine.
Takimi ishte kontakti i parë i nivelit të lartë mes dy vendeve që nga nënshkrimi javën e kaluar nga Presidenti Donald Trump i ligjit për sanksione të reja, që ndëshkojnë Rusinë për ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
“Po përpiqemi t’i ndihmojmë ata të kuptojnë se sa serioz ka qenë ky incident dhe sa seriozisht i ka dëmtuar marrëdhëniet midis popullit amerikan dhe atij rus, se kjo ka krijuar mosbesim serioz midis dy vendeve tona dhe se ne na duhet të gjejmë ndonjë mënyrë për ta zgjidhur këtë”, tha Sekretari amerikan i Shtetit.
Sekretari Tillerson tha se i kishte komunikuar zotit Lavrov se SHBA do t’i përgjigjet deri më 1 shtator urdhrit të Rusisë për të larguar qindra diplomatë dhe personel tjetër nga objektet diplomatike amerikane në Rusi.
Ish-presidenti Barak Obama, pak javë para se të largohej nga Shtëpia e Bardhë, dëboi 35 diplomatë rusë dhe mbylli dy objekte ruse në Shtetet e Bashkuara, pasi komuniteti i zbulimit amerikan arriti në përfundimin se presidenti rus Vladimir Putin kishte urdhëruar personalisht ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale amerikane.
Rusia nuk u hakmor në atë kohë, por me miratimin e sanksioneve të reja amerikane, Moska urdhëroi SHBA të largonin 755 diplomatë dhe punonjës të tjerë, shumë prej të cilëve rusë, nga ambasada dhe konsulatat e saj në Rusi.
Volker, së shpejti në Rusi për bisedime mbi Ukrainën
Ndërkohë, Rusia tha të dielën se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë së shpejti një përfaqësues në Moskë lidhur me situatën në Ukrainën lindore, për të zhvilluar bisedime me zyrtarët rusë mbi dhunën që vazhdon.
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov e bëri njoftimin të dielën, pas takimit me homologun amerikan.
Ministri Lavrov tha se diplomati amerikan Kurt Volker do të takohej me të dërguarin rus për Ukrainën, Vladislav Surkov. Zoti Volker muajin e kaluar vizitoi Ukrainën lindore, ku separatistët rusë të mbështetur nga Moska luftojnë për më shumë se tre vjet me forcat ukrainase. Konflikti që ka marrë mbi 10 mijë jetë, filloi kur Moska aneksoi gadishullin e Krimesë nga Ukraina.
Ministri rus tha se megjithë sanksionet amerikane, Moska i përmbahet bindjes se “homologët amerikanë duhet të mbajnë të hapur dialogun. Nuk ka alternative tjetër”.
Sigal