Thirrje Rusisë që të parandalojë “katastrofën tjetër humanitare” në Siri

75

Fuqitë botërore i bënë thirrje Rusisë që të frenojë aleancën e saj me Sirinë dhe të parandalojë “një krizë tjetër humanitare” në këtë vend të përfshirë nga lufta civile qysh në vitin 2011.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti amerikan, Donald Trump, shprehën shqetësimet e tyre për zhvillimet në Siri gjatë një bisede telefonike.

Rusia i ka dhënë presidentit sirian, Bashar al-Assad, mbështetje të madhe gjatë konfliktit, i cili ka lënë qindra-mijëra njerëz të vrarë dhe ka zhvendosur miliona të tjerë.

Rusia i ka kthyer zhvillimet në favor të Assadit kur ka nisur fushatën e sulmeve ajrore mbi kundërshtarët e tij në vitin 2015 dhe ka rritur praninë e saj ushtarake në Siri.

Forcat rebele janë dëbuar nga shumë pjesë të vendit, ndërsa trupat pro-qeveritare po përgatiten për një ofensivë të madhe për të rikthyer kontrollin edhe në provincën Idlib, që është bastioni i fundit i madh i rebelëve.

“Edhe Trump, edhe Merkel bënë thirrje për veprim ndërkombëtar për të parandaluar krizën humanitare në Idlib”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders.

“Rusisë i kërkohet të veprojë në mënyrë të moderuar me Qeverinë siriane dhe të parandalojë një përshkallëzim të mëtejshëm”, tha zëdhënësi i Merkelit, Steffen Seibert.

Para diskutimit të çështjes me Trumpin, Merkel ka shprehur shqetësim për situatën në Idlib edhe gjatë një takimi me presidentin rus, Vladimir Putin, rreth një javë më parë, tha Seibert.

Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania, javën e kaluar, kanë paralajmëruar Sirinë që të mos përdorë armë kimike, derisa forcat e saj bëhen gati për ofensivën në Idlib.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kërkoi të hënën nga Rusia që të frenojë Assadin, i cili mohon përdorimin e armëve kimike, pavarësisht disa rasteve të dokumentuara nga Kombet e Bashkuara.

“Situata është alarmuese, sepse regjimi kërcënon me një krizë tjetër humanitare në Idlib dhe, deri më tash, nuk ka treguar asnjë dëshirë për të negociuar tranzicionin më të vogël politik”, tha Macron.

Pas rimarrjes së kontrollit të shumicës së zonave urbane të Sirisë, si dhe të kufijve jugorë të Sirisë me Jordaninë dhe Izraelin, Assad synon rikthimin e Idlibit, ku janë vendosur mijëra kryengritës dhe familjet e tyre pasi janë dorëzuar në pjesë të tjera të vendit.

Bloomberg News ka raportuar javën e kaluar se agjencitë amerikane të inteligjencës besojnë se kanë prova se Assad po planifikon një sulm kimik në Idlib.

Sipas Bloomberg, shenjat për një sulm të planifikuar kimik kanë bërë që këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Bolton, të paralajmërojë homologun e tij rus, Nikolai Petrushev, se çdo sulm kimik do të nxiste përgjigje të fuqishme nga SHBA-ja.

Rusia, në anën tjetër, ka thënë se rebelët që kontrollojnë provincën Idlib janë ata që po përgatiten të përdorin armë kimike.

Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov, akuzoi grupin militant Hayat Tahrir al-Sham për, siç tha, “përgatitjen e një provokimi tjetër”.

Të hënën, Rusia akuzoi SHBA-në për pozicionimin e luftanijeve rreth Mesdheut, në përgatitje për një sulm masiv në Siri – akuza që Pentagoni i mohoi.