Thirrja e Jahjagës për konsensus VV: Nuk bisedojmë me PDK-në

437
Sigal

Lëvizja Vetëvendosje, që është pjesë e koalicionit paszgjedhor me partitë, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, thotë se nuk do t’i përgjigjet ftesës së presidentet së Kosovës, Atifete Jahjaga, për t’u takuar së bashku me të gjithë liderët politikë.

Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Erzen Vraniqi, tha për mediat në Prishtinë se udhëheqësit e Vetëvendosjes, nuk do të ulen në një tavolinë me liderin e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Ne nuk e shohim PDK-në si zgjidhje të problemit apo bisedën me të, por e shohim si vet problemin. Është qeverisja e PDK-së, që e ka katandisur Kosovën në këtë gjendje edhe ky ka qenë qëllimi pse blloku është bërë bashkë dhe pastaj edhe Lëvizja Vetëvendosje e ka nënshkruar marrëveshjen e 10 shtatorit me ta. Pra, ne jemi shumica parlamentare, kemi 63 vota në Kuvend dhe duhet të na jepet e drejta për formimin e institucioneve në Kuvendin e Kosovës, e jo në takime të liderëve”, tha Vraniqi.

Gjatë kësaj jave, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka theksuar domosdoshmërinë e një takimi të përbashkët të liderëve politikë, në zyrën e presidentes.
“Nisur nga të gjitha këto kërkesa, besoj se është e domosdoshme që liderët e partive politike parlamentare të pajtohen që të mblidhen në një takim të përbashkët në Zyrën e Presidentes”, theksohet  në një komunikatë për media nga presidenca .

Ndër të tjera, në komunikatë theksohet se qëllimi i takimit është gjetja e zgjidhjes përbrenda këtij kuadri të përcaktuar nga vendimet e Gjykatës Kushtetutës dhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.