Theri me thikë kuzhinierin në Monte Carlo, shqiptari nuk mban mend asgjë. Ja çfarë dëshmon

609
Shqiptari Ricard Nika që vrau me thikë kolegun e tij, Alfio Fallica, kuzhinier në restorantin ‘Pulcinella’ ku punonte, në Monte Carlo, ka dhënë sot dëshminë nga burgu i qytetit të Imperias.

Ndërsa gjyqtari i çështjes i ka komunikuar ‘arrestin me burg’ Nika ka heshtur. Mediat lokale shkruajnë se 30-vjeçari nuk mban mend asgjë, ndërsa ka pyetur avokatin e tij Massimo Corradi nëse ishte e vërtetë gjithçka kishte ndodhur. “Ka ndodhur me të vërtetë kjo që më thonë?”
Mësohet se avokati e ka pyetur edhe nëse kishte pasur ndonjë sherr me kuzhinierin, ndërsa klienti shqiptar është përgjigjur: “Absolutisht jo. Ai ishte një person shumë i mirë dhe unë kurrë nuk kam pasur probleme me të”.

Nga deklarata e tij janë ngritur dyshime se shqiptari që jetonte në rajonin e Liguarias në Itali, mund të ketë probleme mendore dhe për këtë pritet t’i nënshtrohet një kontrolli të specializuar mjekësor.

Ai dhe familja e tij nuk kanë precedentë penalë, ndërsa policia e Monte Carlo-s vijon hetimet për ngjarjen.
NGJARJA
Ricard Nika pas një grindje të dhunshme ka goditur me thikë duke i shkaktuar vdekjen italianit Alfio Fallica, njëherësh kolegun e tij të premten. Miqtë e të afërmit e shqiptarit e përshkruajnë si një njeri majft punëtor e të ndershëm dhe kjo ngjarje është mjaft e papritur për të gjithë.

Pas vrasjes Nika u dorëzua vetë në polici. Në dorë mbante një thikë me një teh prej 20 cm, me të cilën dyshohet se mund të ketë qëlluar kolegun. Pritet që njollat e gjakut të gjetura në thikë të analizohen për të parë nëse ato i përkasin viktimës apo vrasësit të dyshuar, pasi shqiptari ka një plagë në gjoks, përveç asaj në krahë dhe ka dyshime se ai mund të ketë tentuar të vetëvritet.


Sigal