Theresa May: Të përshpejtohet kthimi i emigrantëve ekonomikë

447
Britania i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të përshpejtojë dëbimin e njerëzve që nuk kualifikohen për azil. Ministrja e Brendshme, Theresa May, ka thënë se do që “Evropa të përshpejtojë lojën e saj”. Ajo ka thënë se Bashkimi Evropian “duhet t’i kthejë prapa në vendet e origjinës emigrantët ekonomikë” “Duhet të ndërmarrim masa ndaj atyre që abuzojnë me sistemin e azilit”, ka thënë May.

Komentet e saj vijnë në prag të Samitit të ministrave të Brendshëm të BE-së në Luksemburg. Ata pritet të miratojnë sot disa masa, të cilat përfshijnë edhe arrestimin e atyre që mund të arratisen përpara se të dëbohen. Po ashtu mund të kërkohet presion më i madh në vendet e origjinës për të riatdhesuar njerëzit. Samiti vjen në kohën kur vendet e Bashkimit Evropian po përballen me një fluks të madh migrantësh që ikin nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika. Mbi 600,000 njerëz kanë arritur vetëm këtë vit në BE.
Sigal