Theresa May paraqet ‘faktet e vështira’ për Brexit në fjalimin e saj

156
Kryeministrja britanike Theresa May ka prezantuar ato që ajo i cilësoi si “faktet e vështira” rreth largimit të Mbretërisë së Bashkurar nga Bashkimi Evropian.
Gjatë fjalimit të saj për Brexit, Theresa May shprehu qartë atë që Britania kërkon nga marrëdhënia e saj ekonomike me BE-në pas Brexit, por nga ana tjetër theksoi se të dyja palët duhet ta pranojnë se asnjëra nuk mund të marrë atë që do, por sidoqoftë mund të arrihet një marrëveshje.
“Ne do largohemi nga tregu i përbashkët dhe sigurisht aksesi ndaj tregjeve të tjera do jetë më i ulët sesa është tani, por juridiksioni i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë në Mbretërinë e Bashkuar duhet të përfundojë. Britania dëshiron të ketë lirinë që të negociojë marrëveshjet tregtare dhe kontrollin e ligjeve me BE-në, por mosmarrëveshjet në të ardhmen nuk mund të gjykohen nga “gjykatat e asnjërës palë” tha Theresa May gjatë fjalës së saj.
Sakaq në lidhje me kufirin e Irlandës Veriore, kryeministrja May refuzoi sugjerimet e BE-së se Mbretëria e Bashkuar mund të vendosë e vetme të imponojë një kufi më të vështirë me Republikën e Irlandës ndërsa theksoi se kjo është një përgjegjësi e përbashkët.
Pas kritikave nga Brukseli se Britania po përpiqet të përzgjedhë pjesët më të mira të rregullave të bllokut, kreu i qeverisë britanike u shpreh se çdo marrëveshje e tregtisë së lirë ka aksese të ndryshme në varësi të interesave të vendeve të përfshira.
Britania do largohet nga blloku më 29 mars 2019 por ndërkohë ka kërkuar një periudhë tranzicioni 2 vjeçare në lidhje me marrëdhëniet e ardhshme me BE-në pas Brexit.