Thaçi takohet me Scaparrotin, flasin edhe për ushtrinë e Kosovës

509
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot komandantin Suprem të NATO-s për Evropë, Gjeneralin Curtis Scaparrotti, i shoqëruar nga komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori, Giovanni Fungo.

Presidenti Thaçi ka falënderuar gjeneralin Scaparrotti për mbështetjen që NATO i ka dhënë Kosovës në sigurimin e paqes në Kosovë dhe rajon.

Sipas njoftimit, presidenti ka theksuar se roli i NATO-s në Kosovë ka qenë përcaktues jo vetëm në ruajtjen e stabilitetit dhe rritjen e sigurisë, por edhe në bashkëpunimin ndërmjet të gjitha komuniteteve në Kosovë.

“Roli juaj në Kosovë, si dhe në rajon është i pazëvendësueshëm. Do të jemi gjithmonë mirënjohës për këtë mbështetje”, ka theksuar Presidenti.

Presidenti Thaçi ka informuar atë për situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë.

Sipas tij, Kosova ka përfunduar me sukses procesin e zgjedhjeve, të cilat kanë qenë të lira, fer dhe demokratike.

“Tani jemi në proces të krijimit të institucioneve të Kosovës, të cilat do të jenë multietnike dhe me orientim të qartë euroatlantik”, ka thënë presidenti Thaçi.

Duke folur për bashkëpunimin me shtetet e rajonit, presidenti Thaçi ka përshëndetur anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, duke shpresuar që rrugën e njëjtë do ta ndjekin edhe shtetet tjera, duke kontribuar kështu për paqen afatgjatë në rajon.

Nga ana tjetër, komandanti Suprem i NATO-s për Evropë, gjeneralin, Curtis Scaparrotti ka thënë se NATO është e përkushtuar të qëndrojë në Kosovë, për të siguruar paqe dhe stabilitet për krejt rajonin.

Presidenti ka theksuar se Kosova është duke punuar që të përmbyll procesin e transformimit të FSK-së në ushtri të Kosovës. “Kjo do të ndodh në koordinim të plotë me ju dhe me përfshirjen e të gjitha institucioneve dhe komuniteteve në Kosovë”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se Kosova po ashtu do të vazhdojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe do të punojë për bashkëpunimin rajonal dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore. 
Sigal