Thaçi: Rusia një kërcënim për Ballkanin, Serbia njeh “de facto” Kosovën

385
Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, njëherësh ministër i Jashtëm i Kosovës ka theksuar se Rusia është një kërcënim për Ballkanin pasi Moska dëshiron të rrisë ndikimin në këtë rajon.
Në një intervistë për të përditshmen austriake “Die Presse” Thaci i bëri thirrje Rusisë të njohë pavarsinë e Kosovës.
“Ne kemi lidhur marrëveshje me Beogradin, për t’i normalizuar marrëdhëniet. Prandaj, do duhej që edhe Rusia të ketë një pamje më pozitive për Kosovën dhe që ta njohin pavarësinë tonë. Ne duam marrëdhënie të mira me Rusinë. Por, ne e shohim atë si një kërcënim, pasi që Moska dëshiron të rrisë ndikimin në rajonin e Ballkanit se sa në të kaluarën. Sa më shumë që BE-ja lejon kohë për ta pranuar këtë rajon, aq më i madh do të jetë kërcënimi”, ka nënvizuar Thaçi.
Për t’u bërë anëtar i OKB-së, Kosovës i nevojitet pëlqimi i Moskës, një aleat i Serbisë të cilët ende nuk e kanë njohur pavarsinë e Kosovës.
I pyetur për krizën e emigrantëve Thaci ka thënë se Kosova është viktimë e tërthortë e krizës së refugjatëve dhe sipas tij vendet e BE-së nuk duhet të veprojnë me standarde të dyfishta ndaj Kosovës.
“Ne jemi një viktimë e tërthortë e kësaj krize. Në fillim të vitit ka pasur një periudhë të shkurtër të migrimit ilegal nga Kosova për në BE. Por, ne e kemi ndalur atë. Tani ne jemi duke punuar për të kthyer në Kosovë këta njerëz nga Gjermania dhe vendet e tjera. Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Ne nuk duhet të përballemi me standarde të dyfishta të Brukselit”- përfundoi Thaçi.
Në fund të fjalës Thaçi tha se Serbia nuk e pranon zyrtarisht por “de facto” e ka pranuar pavarsinë e Kosovës. 
Sigal