Thaçi për “Berliner Zeitung”: Opozita është duke bërë veprime ilegale

484
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë qëndrimit të tij në Berlin, ka dhënë një intervistë edhe për të përditshmen gjermane “Berliner Zeitung”. Pas përfundimit të Forumit Ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, Thaçi në këtë intervistë ka theksuar se Kosova shumë shpejt do të miratojë ligjin më modern në Evropë për investime direkte. Gjermania me 400 milionë euro shkëmbime tregtare me Kosovën është ndër partnerët më serioz ekonomik. Thaçi për këtë gazetë bën thirrje për krijimin e marrëdhënieve me të ngushta ndërmjet shteteve. “Sidomos në sektorin e energjisë, minierave dhe bujqësisë kërkojmë partnerë gjermanë”, ka thënë ai, transmeton KosovaPress.

Sipas gazetës, Qeveria e Kosovës dëshiron të zgjedh problemin energjetik dhe duke parafrazuar Thaçin, thotë se tashmë kanë arritur një marrëveshje me një ndërmarrje amerikane ContourGlobal, e cila do të ndërtojë termocentralin e ri. Ndërmarrja do të jenë e përberë nga një konzorcium, ku edhe kompanitë gjermane mund të marrin pjesë. Thaçi pret që në Kosovë të investojnë ndërmarrje të mëdha siç janë Siemens dhe ThyssenKrupp. Duke folur për emigrantët kosovarë, Thaçi ka theksuar se zgjedhja afatgjate është liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Ai shprehet optimist se kjo do të ndodh shumë shpejt.

Por, më pak optimist ai është treguar me ngjarjet në Kuvendin e Kosovës, ku opozita për herën e pestë gjuan gaz lotsjellës, për të pamundësuar mbajtjen e seancës. Thaçi për “Berliner Zeitung” ka thënë se përkundër të gjitha ngjarjeve në Kuvend, Qeveria është stabile. Sipas tij, opozita është duke bërë veprime ilegale. “Askush nuk mund që përmes dhunës të bllokojë shtetin e Kosovës dhe as ta merr Qeverinë përmes dhunës”, ka pohuar Thaçi për këtë të përditshme gjermane.
Sigal