Thaçi për agjencinë serbe: Nuk e kam përmendur Shqipërinë e Madhe

423
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi thotë se nuk ka përmendur asnjëherë idenë e Shqipërisë së Madhe, duke shtuar se mungesa e lidershipit dhe vizionit të Bashkimit Evropian hap rrugë për ideologji dhe ndikime të tjera në rajon, si nacionalizmi, ekstremizmi dhe radikalizmi politik.

“Kjo frymë është e përbërë nga Serbia dhe fryma e keqe që mban Serbinë për të shërbyer interesat e saj për të legjitimuar një Serbi të Madhe e cila tani vepron nën hundët e BE-së dhe bashkësisë ndërkombëtare”, ka deklaruar Thaçi gjatë një interviste për agjencinë serbe të lajmeve “Beta”.

Presidenti i Kosovë deklaron gjithashtu se Serbia nuk ndahet dot nga e shkuara e saj dhe se e shikon rajonin si armik.

“Serbia duhet të ndahet nga e kaluara e saj dhe të kthehet drejt një të ardhme të re. Kjo do të thotë që të heqë dorë nga politika që e sheh rajonin si armik. Çdo komb duhet parë si një mundësi bashkëpunimi për forcimin e paqes, stabilitetit, të drejtësisë dhe progresit”, shtoi ai.

Ai tha se BE-ja po e lejon Ballkanin të përfshihet nga ndikime të tjera.

“Ne duam të forcojmë paqen dhe stabilitetin në vendin tonë dhe në të gjithë rajonin. Kjo është arsyeja pse ne duhet të angazhohemi që sa më shpejt të anëtarësohet në NATO dhe BE”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se në diskursin e tij politik nuk e ka përmendur Shqipërinë e madhe.

Ai ka thënë se deklarata e tij për mungesën e lidershipit në BE nuk do të thotë konflikt të hapur me Bashkimin Evropian, por kjo është një thirrje për bashkëpunim të sinqertë dhe strategjik me Kosovën, si dhe me të gjitha vendet e BE-së.

“Mungesa e bashkëpunimit të sinqertë mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së është në dëm të të gjithëve. Dështimet e BE-së në të kaluarën nuk duhet të përsëritet”, ka thënë Thaçi.
Sigal