Thaçi: Pa përfunduar themelimi i Gjykatës Speciale nuk përfundon sesioni parlamentar

513
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, u zotua sot pas mbledhjes me anëtarët e grupit parlamentar të PDK-së dhe 6 plusit se së shpejti do të përmbyllet procesi i themelimit të Gjykatës Speciale.
“Diskutuam për domosdoshmërinë që të përmbyllet procesi i themelimit të Gjykatës Speciale sa më shpejtë që është e mundur. Mendoj që Kuvendi i Kosovës nuk duhet të mbyllë sesionin pa përmbyllur këtë proces të rëndësishëm. Vendimet e Partisë Demokratike të Kosovës, vendimet politike janë të qarta gjë që kanë detyrim të gjithë për t’i respektuar, pra presim që do ta përmbyllim në të ardhmen e afërt këtë proces edhe si qeveri edhe si kuvend”, tha Thaçi.
Kreu i PDK-së, Thaçi u shpreh se sot kishte një takim të zakonshëm me grupin parlamentarë të PDK-së, ku sipas tij janë diskutuar pikat e rendit të ditës dhe qëndrimet që PDK ka për seancat e ardhshme.
“Ishte një mbledhje e zakonshme e grupit parlamentarë të Partisë Demokratike të Kosovës për të diskutuar për pikat e rendit të ditës dhe qëndrimet që do t’i kemi në seancat e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Pikat që do të diskutohen, pra, ishte krejt një mbledhje e rregullt, agjenda do të vazhdoj dhe natyrisht që do të punojmë maksimalisht që ky proces të përmbyllet suksesshëm me gjithë këto përkushtime që i kemi si partnerë të koalicionit”, tha Thaçi.
Sigal