Thaçi: Ndarja e Kosovës është e parealizueshme

582
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka cilësuar të kota apiratat e Serbisë për ndarjen e Kosovës.
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Thaçi ka thënë se integritet territorial i kosovës është garantuar edhe nga faktori ndërkombëtar.
“Tendencat për ndarje të Kosovës kanë qenë të hershme, janë edhe sot aktuale dhe do të jenë edhe nesër. Por, diçka e tillë është e parealizueshme. Kosova është shtet sovran, me integritet territorial të respektuar e të garantuar ndërkombëtarisht. Kosova e Serbia duhet të arrijnë marrëveshje dhe atë marrëveshje duhet ta mbështesë edhe Bashkimi Evropian. E kanë mbështetur në takimin që e kam pasur më herët me Nënpresidentin Pence edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që janë në favor të arrtijes së kësaj marrëveshjeje përfundimtare, historike, Kosovë-Serbi, e cila do të kishte edhe obligime zbatuese ligjore”, ka thënë Thaçi.
Presidenti i Kosovës i ka quajtur të dështuara përpjekjet e Beogradit që për çështjen e Kosovës të bisedojë me Tiranën. Ai është shprehur i sigurt dhe Tirana nuk do të vihet në lajthitje nga Beogradi.
“Shqipëria është vend sovran, Serbia është vend sovran, Kosova është vend sovran. Çdo herë Serbia ka pasur pretendime me Tiranën për Kosovën, për të zhvlerësuar shtetësinë e Kosovës, kredibilitetin e saj dhe për të mohuar shtetësinë. Tirana nuk do të bjerë në këtë lajthitje dhe këtë e ka bërë të qartë edhe më herët. Vetëm marrëveshja direkte në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë ka kredibilitet. Çdo përpjekje devijuese është e dështuar, prandaj Tirana e mbështet dialogun, por e mbështet si një vend sovran, sikurse vendet tjera të rajonit”, është shprehur Thaçi.
Krerët më të lartë të shtetit në Serbi, ka kohë që në kanë lansuar idenë për ndarjen e Kosovës. Presidenti Aleksandar Vuçiq e ka cilësuar atë si “kompromis”, duke theksuar se të dyja palët (shqiptarët dhe serbët) duhet të jenë “barabar të kënaqur dhe të pakënaqur” njëkohësisht.
Më hapur e ka shprehur këtë ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq, duke e kamufluar me “një marrëveshje historike” mes shqiptarëve dhe serbëve.
Të martën këtë ide e nxori lakuriq ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, i cili konsiderohet si njëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të Vuçiqit. Ai ka thënë se Beogradi duhet të bisedojë me Tiranën dhe jo me Prishtinën.
Sigal