Thaçi: Kroacia, partner në integrimin e Kosovës në Bashkimin Europian

461
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, takimet e sotme bilaterale në Kroaci i nisi me presidenten kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviç.
Gjatë takimit, Thaçi dhe presidentja kroate Grabar-Kitaroviç diskutuan për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë. Sipas tyre, pas anëtarësimit të Kroacisë në BE dhe pas konsolidimit të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, ky partneritet duhet të thellohet më shumë dhe të bëhet më strategjik ndërmjet dy vendeve.
“Dy vendet tona gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera të cilat nuk janë të fokusuara vetëm në nivelin politik, por edhe në atë ekonomik, arsimor, kulturor dhe ushtarak”, tha Zëvendëskryeministri Thaçi.
Kroacia, vijoi Thaçi, për Kosovën mbetet një partner shumë i rëndësishëm edhe në përpjekjet për integrim në bashkësinë ndërkombëtare.
“Mbështetja juaj e fuqishme në Kombet e Bashkuara, NATO, BE dhe në organizatat rajonale ka kontribuar në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës”, deklaroi Thaçi.
Presidentja kroate Grabar-Kitaroviç, duke folur për marrëdhëniet dypalëshe Kroaci-Kosovë, theksoi se komuniteti shqiptar në Kroaci dhe ai kroat në Kosovë kanë shërbyer gjithnjë si ura lidhëse ndërmjet popujve dhe shteteve tona.
“Përkrahja e shtetit kroat për Kosovën është e parezervë dhe ne do të punojmë së bashku për t’i shikuar edhe mundësitë e tjera të anëtarësimit të Kosovës nëpër institucione dhe organizata të tjera”, tha presidentja Grabar-Kitaroviç.
“E përkrahim anëtarësimin e shpejtë të tërë rajonit në NATO dhe në BE”. Në Kroaci, sipas të dhënave të fundit jetojnë 17,513 shqiptarë dhe këta qytetarë sipas presidentes Grabar-Kitaroviç janë një pasuri shumë e rëndësishme për shoqërinë kroate. 
Sigal