Thaçi i dorëzon BE-së letërkëmbimin për përfundimin e mandatit të EULEX

74

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dorëzuar sot tek autoritetet e BE-së letërkëmbimin me Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme e Siguri, Federica Mogherini, me të cilin përmbyllet mandati i deritashëm i EULEX-it.

“Letrën e kanë pranuar Komandanti i Operacioneve Civile të PPSM, Kenneth Deane, si dhe shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou. Përmbajtja e letrës është negociuar në mes palës kosovare dhe asaj të BE-së dhe parasheh përfundimin e mandatit ekzekutiv dhe reduktimin e rolit të EULEX-it në rol monitorues dhe këshillues në fazën e përmbylljes së misionit”, thuhet në njoftimin për media.

“Ka qenë një dekadë e vlefshme për Kosovën”- u shpreh presidenti Thaçi në këtë takim, duke shtuar se “institucionet e Kosovës kanë përfituar shumë nga bashkëpunimi me EULEX-in”.

“Falë këtij bashkëpunimi, sot kemi ngritur kapacitetet vendore për të marrë plotësisht përgjegjësitë në sektorin e sundimit të ligjit”, u shpreh ai.

Presidenti Thaçi shtoi se “EULEX-i ka qenë mision i suksesshëm dhe nga kjo përvojë edhe BE-ja mund të nxjerrë mësime të rëndësishme për misionet e ngjashme në të ardhmen”.

Mandati i misionit të EULEX-it skadon më 15 qershor 2018, kurse misioni i ardhshëm do të jetë i përqendruar në përmbylljen e transferimit të plotë të kompetencave tek organet e Kosovës, si dhe në përmbylljen e misionit.