Thaçi e Vuçiç për vazhdimin e bisedimeve Kosovë – Serbi

543
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pak ditë pasi që ai u përurua në postin e presidentit.
Presidenti Thaçi, tha se e ka përgëzuar presidentin serb për postin e ri dhe janë pajtuar për vazhdimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve.
“Kosova dhe Serbia kanë shumë çështje për të zgjidhur dhe unë jam i përkushtuar që të punojmë së bashku për të ardhmen evropiane të qytetarëve tanë”, thuhet në një postim të presidentit Thaçi në rrjetet sociale.
Bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, aktualisht janë të pezulluara. Fillimisht për shkak të zgjedhjeve presidenciale serbe që u mbajtën më 2 prill e më pas edhe për shkak të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë.
Në fillim të këtij viti, palët qenë mbledhur dy herë në Bruksel me kërkesë të Bashkimit Evropian, për të ulur tensionet e larta ndërmjet të dyja vendeve.
Beogradi vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës por është përfshirë në një proces bisedimesh në shkëmbim të afrimit me Bashkimin Evropian.
Serbia, një aleate tradicionale e Rusisë, synon integrimet evropiane, por ecën në vijën e ngushtë ndërmjet Rusisë dhe perëndimit. I përuruar më 23 qershor në postin e presidentit, Aleksandër Vuçiç, ritheksoi një orientim të tillë.
Aleksandër Vuçiç, një ish ultra nacionalist që pohon të jetë shndërruar në një reformator pro evropian, ishte pjesë e Partisë Radikale Serbë të drejtuar nga ultra nacionalisti Vojislav Sheshel deri në vitin 2008. Gjatë luftës në Kosovë, ai kishte shërbyer si ministër për informim në qeverinë e ish presidentit serb, Sllobodan Millosheviç, i cili vdiq në vitin 2006 derisa po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid në hapësirat e ish Jugosllavisë.
Ai pasoi në këtë post ish shefin e tij Tomislav Nikoliç, i njohur për qëndrimet e tij pro ruse.
Më 15 qershor ai mandatoi kandidaten Ana Bërnabiç për postin e kryeministres, duke i hapur rrugën që ajo të bëhet kryeministrja e parë serbe dhe njëkohësisht për herë të parë një femër që hapur ka pranuar orientimin e saj seksual.
Kabineti i ri i propozuar nga mandatarja Bërnabiç, përfshinë disa ministra me orientime të qarta pro ruse, përfshirë edhe kandidatin për ministër të Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, një politikan pro-rus, i njohur për qëndrime të linjës së ashpër. Vulin, dikur bashkëpunëtor i ngushtë i bashkëshortes së Slobodan Millosheviçit, Mira Markoviç – Millosheviç, është bërë i njohur me qëndrimet e tij kundër perëndimit dhe deklaratat nxitëse kundër shqiptarëve, kroatëve dhe boshnjakëve.
Javën që lamë pas, zëvendëskryeministri rus, Dmitry Rogozin, tha se Serbia nuk do të arrij të anëtarësohet në Bashkimin Evropian pa e njohur Kosovën. Moska është përfshirë në një fushatë propaganduese kundër integrimeve të Serbisë e cila bashkë me serbët e Bosnjës, kanë mbetur aleatët e vetëm rus në Ballkan.
Në Kosovë, ndërkaq janë shtuar zërat që kërkojnë ndryshimin e formatit të bisedimeve me Serbinë dhe hedhjen në tryezë të njohjes së ndërsjellë.
Sidoqoftë, bisedimet që deri tash janë zhvilluar në nivel kryeministrash, pritet që të vazhdojnë në nivel të presidentëve të të dyja vendeve.
Sigal