Thaçi: “Do t’i drejtohem Kushtetueses për zhvillimet e dhunshme në Kuvend “

429
Sigal

Kryeministri në detyrë, njëherësh kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, tha për mediat kosovare se, vendimet e fundit në Kuvendin e Kosovës, përfishrë zgjedhja e Isa Mustafës si Kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës, dolën nga një proces antiligjor, antidemokratik dhe antikushtetues janë të pavlefshme dhe të barabarta me një zero të madhe. Me një postim të publikuar në faqen e tij në rrjetin sociale “Facebook”, Thaçi tha: “Dje (të enjten) pamë skena jo të dinjitetshme për demokracinë kosovare, të nxitura nga liderë politike që kurrë në jetën e vet nuk kanë fituar asnjë palë zgjedhje tash e 15 vite në Kosovën e lirë. Partitë politike humbëse të zgjedhjeve të 8 qershorit, në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet në fuqi dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, si dhe në kundërshtim me vullnetin dhe verdiktin e qytetarëve të vendit, dhunuan institucionin më të lartë të vendit, duke e shndërruar atë në arenë të imponimit arbitrar të tekeve. PDK duke i konsideruar si krejtësisht të kundërligjshme dhe jovalide (jo të vlefshme) vendimet e marra nga uzurpatorët e seancës së djeshme konstituive, shpreh qëndrimin e saj se këto vendime që dolën nga një proces antiligjor, antidemokratik dhe antikushtetues janë të pavlefshme. Të barabarta me një zero të madhe. Do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në lidhje me zhvillimet e dhunshme në Kuvendin e Republikës së Kosovës për të kërkuar rivënien e legalitetit dhe legjitimitetit në këtë institucion. Ne jemi zotuar ta ruajmë qetësinë karshi këtyre zhvillimeve të pashembullta dhe amatore. Besoni në shtetin që e kemi ndërtuar së bashku dhe në funksionimin demokratik dhe legal të institucioneve të Republikës së Kosovës”.

Zgjedhja e Mustafës

 Kryetari i Lidhjes Demorkratike të Kosovës, Isa Mustafa, u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës, në seancën konstituitive të thirrur nga Presidentja Atifete Jahjaga. Mustafa mori 65 vota pro nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma dhe pakicat, ndërkohë që nga 18 vota abstenim ishin 16 të lëvizjes Vetëvendosje dhe dy të Nenad Rashiç e Emilia Rexhepi po nga pakicat. Partia Demokratike e Kosovës e drejtuar nga kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi, e cila doli fituese në zgjedhjet e 8 qershorit por pa shumicë absolute.