Thaçi: Avionët rusë në Serbi, kërcënim për Ballkanin

43
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për të përditshmen kroate “Jutarnji” ka thënë se transformimi i FSK-së në ushtri të Kosovës nuk përbën kërcënim për asnjë shtet në rajon, por do t’i kontribuojë paqes, përcjell “Zeri.info” në Kosovë.

Thaçi ka thënë se Kosova është shtet sovran dhe si çdo shtet i pavarur ka të drejtë ta ketë ushtrinë e vet. Sipas tij, kjo do të ndodh gjatë këtij viti dhe këto forca do të jenë të trajnuara sipas standardëve të NATO-së.

“Ato janë forca multietnike, dhe i gjithë ky proces do të jetë i koordinuar me NATO-në dhe partnerët e tjerë. Askush nuk ka të drejtë ta ndalojë këtë”, ka shtuar ai.

Presidenti ka theksuar se janë duke folur me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve në Kosovë, të cilët janë pjesë e Forcës së Sigurisë, të cilët janë në mision të paqes dhe stabilitetit, dhe nuk janë faktor i cili kërcënon dikë.

“Kërcënimi i vetëm janë forcat ushtarake ruse dhe aeroplanët rusë në Serbi”, ka shtuar ai. Thaçi në këtë intervistë për të përditshmen kroate ka folur edhe për procesin e forcimit të subjektivitet ndërkombëtar të Kosovës.

Ai ka thënë se Kosova është anëtare e organizatave të ndryshme ndërkombëtare, politike, ekonomike, sportive, dhe çdo dite kemi ndikim dhe respekt më të madh në bashkësinë ndërkombëtare.

Thaçi ka folur edhe për marrëdhëniet me Rusinë, duke thënë se pret që Rusia do t’i bëj hapat drejt njohjes se Kosovës. Kjo sipas tij, do të ishte në interesin e vet Serbisë.

Ai ka folur edhe për marrëdhëniet e Kosovës me Kroacinë, të cilat sipas tij duhet të thellohen sidomos në fushën e ekonomisë, përmes shkëmbimit tregtar dhe investimeve.

Presidenti Thaçi ditë më parë qëndroi në një vizitë zyrtare në Kroaci, Slloveni, Austri dhe Jordani.