Testi bërthamor i Phenianit hap debatin për krijimin e një arsenali nuklear të Seulit

426
Disa ekspertë dhe politikanë konservatorë në Korenë e Jugut kanë kërkuar krijimin e një arsenali koreanojugor me armë bërthamore për vetëmbrojtje, pas testit të fundit nuklear të Koresë së Veriut.
Kërkesa e analistëve dhe e ligjvënësve nga partia në pushtet, Saenuri, është një përgjigje ndaj pretendimit të Koresë së Veriut për kryerjen me sukses të një testi me bombë bërthamore, javën e kaluar.
Seuli ruan politikën e tij të denuklearizimit që nga viti 1992, kur dy Koretë nënshkruan një deklaratë të përbashkët për ta mbajtur pa armë bërthamore Gadishullin e Koresë.
Ndërkohë, Koreja e Veriut e ka shkelur këtë marrëveshje me testet bërthamore të viteve 2006, 2009 dhe 2013.
Kryerja e këtyre testeve ka ndezur debatin nëse edhe Seuli duhet apo jo të heqë dorë nga politika e tij e denuklearizimit.
Lidershipi i partisë në pushtet këmbëngul se kjo politikë duhet rishikuar menjëherë.
“Ka ardhur koha që të kemi një program bërthamor paqësor për vetëmbrojtje përballë terrorit koreanoverior dhe armëve shkatërruese bërthamore”, deklaroi vetëm një ditë pas testit bërthamor të Phenianit, Won Yoo-cheol, kreu i grupit parlamentar të partisë në pushtet, Saenuri.
”Është e nevojshme që çështja bërthamore koreanoveriore të zgjidhet përmes dialogut, por testi nuklear i Phenianit ka ngritur pikëpyetjen nëse duhet të mbajë Seuli strategjinë e tij aktuale për zgjidhjen e kësaj çështjeje?”, theksoi ai.
Sidoqoftë, qeveria koreanojugore nuk e përkrahu thirrjen e partisë Saenuri duke theksuar se kërkesa e saj bie ndesh me parimin e një Gadishulli Korean pa armë bërthamore
/ata/
Sigal