Tërmet në Itali, lëkundje me magnitudë 4.2 në Amatrice

73
Pas tërmetit të fortë që shkundi ishullin Kos në Greqi dhe preku edhe Turqinë, paniku i lëkundjeve te forta ka mbërthyer edhe Italinë.
Një tërmet me magnitudë 4.2 është regjistruar në orën 4:13 minuta mes provincës së Rieti, L’Aquila dhe Teramo. Sipas Institutit italian të sismiologjisë, tërmeti e ka pasur epiqendrën në një thellësi 14 km.

Epiqendra ka qenë 3 km nga Campotosto (Aquila), 8 km nga Amatrice (Rieti) dhe 12 nga Crognaleto (Teramo).

Mediat italiane nuk raportojnë ende për njerëz të lënduar, ndërkohë që pritet të bëhet edhe një bilanc nëse ka apo jo dëme materiale.

Komuna e Amatrices u godit më 24 gusht 2016 nga një tërmet me magnitudë 6,2 ballë të shkallës Rihter duke shkaktuar vdekjen e të paktën 300 personave dhe shkatërrimin e disa fshatrave përreth.