Tentativë grabitjeje në Paris, evakuohen 7 pengjet, autori në arrati

505
Sigal

Një agjenci udhëtimi ka rënë prè e një tentative
grabitjeje gjatë pasdites së kësaj të premteje në Paris, aty ku një agresor i
armatosur u raportua të kishte marrë 7 persona pengje, të cilët janë evakuuar
më pas nga policia.



Ngjarja ka ndodhur në periferinë jugore të kryeqytetit francez, ndërkohë që
forca të shumta policore, të armatosura, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.



Sipas dëshmitarëve në vendin e grabitjes, incidenti nuk ka lidhje me
terrorizmin. Agjencia e udhëtimeve, e përdorur shpesh nga klientë aziatikë dhe
që vepron me transaksione “cash”, ka rënë edhe herë të tjera prè e grabitjeve.



Një gazetar i pranishëm në vendngjarje tha përmes “Twitter”-it se agresori
ishte i vetëm dhe nuk kishte bashkëpunëtorë, ndërsa pengjet janë marrë në
biznesin e quajtur “Asieland”, në bulevardin “Massena”.



Policia ka krijuar perimetrin e sigurisë, duke bllokuar trafikun nëpër rrugët
përreth saj, ndërsa banorët lokalë janë udhëzuar të qëndrojnë larg zhvillimeve.
Menaxheri i agjencisë së udhëtimeve thuhet se ka njoftuar policinë për
incidentin dhe më pas është larguar nga ndërtesa, raporton “BFMTV”, sipas së
cilës thuhet se autori është në arrati.