Tentativa për grusht shteti, 5 vite burg për dy liderë të opozitës në Mal të Zi

545
Sigal

Gjykata e Lartë e Podgoricës ka urdhëruar burgimin e 13 personave të akuzuar si grushtshtetasit e 16 tetorit 2016.

Masa me 5 vite burg u caktua edhe për dy kryetarët pro-rusë të opozitës, Andrija Mançiç i “Partisë Demokracia e Re Serbe” dhe Milan Knezeviç i “Partisë Demokratike Popullore”.

Ndërkaq, ndër të akuzuarit e tjerë, nëntë janë shtetas serbë, dy rusë dhe 1 malazez.

Kryegjyqtarja Suzana Mugosa tha të enjten se të pandehurit në ditën e zgjedhjeve të kaluara parlamentare kishin komplotuar së bashku me dy operativë të shërbimeve sekrete ruse, që të rrëzonin qeverinë e atëhershme të presidentit Milo Gjukanoviç.

Dy kryetarët e partive opozitare dyshohet se kishin rekrutuar elementët agresivë për protestat para parlamentit dhe mbanin kontakte me organizatat kriminale jashtë vendit.

Sipas prokurorisë, objektivi i tyre ishte vrasja e ish-kryeministrit Gjukanoviç dhe instalimi i një lidershipi prorus i cili do të parandalonte hyrjen e Malit të Zi në NATO.

Kremlini vazhdimisht e ka mohuar përfshirjen në trazira, edhe pse e kundërshtoi anëtarësimin e vendit në aleancën ushtarake në vitin 2017.

Ndërsa opozita malazeze e ka cilësuar procesin gjyqësor si të motivuar politikisht dhe ka premtuar se do ta apelojë vendimin.

Një ditë më parë, pakica parlamentare paralajmëroi se një vendim i gjykatës në disfavorin e tyre do e destabilizonte vendin.