Tensioni Turqi-Gjermani, palët lëshojnë deklarata të ashpra ndaj njëra-tjetrës

540
Një grindje mes Ankarasë dhe Berlinit mbi një seri takimesh politike turke të anulluara në Gjermani, ka bërë që tensionet mes palëve të përshkallëzohen.

Një ditë më parë, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e akuzoi Berlinin se “po ndihmon dhe po strehon” terrorizmin. Ai tha se gazetari turko-gjerman i arrestuar në Turqi është një “agjent gjerman” dhe anëtar i grupit të jashtëligjshëm të militantëve kurdë.

Por burime nga ministria e jashtme e Gjermanisë i kanë konsideruar të tilla pretendime si absurde.

Më herët, kancelarja gjermane Angela Merkel tha se ajo e respektonte vendimet e autoriteteve lokale për të anulluar tubimet që ministrat turq të drejtësisë dhe ekonomisë ishin parashikuar të organizonin.

Turqia po përpiqet të tërheqë votuesit etnikë turq lidhur me referendumin e rëndësishëm që vendi organizon në prill. Mbështetja e 1.4 milionë turqve që jetojnë në Gjermani do të jetë e rëndësishme për Erdogan, që me këtë referendum, kërkon të zgjerojë fuqitë e tij presidenciale, duke zbehur rolin e parlamentit.

Zyrtarët turq janë zemëruar pasi zyrtarët gjermanë tërhoqën lejet për të mbajtur tubime në qytetet e Gagennau, Köln e Frechen.

Kjo solli në reagimin e ashpër të Ministrit të Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, i cili akuzoi qeverinë gjermane se nuk mbështet ndryshimet kushtetuese të planifikuara nga Erdogan.

Me tone kërcënuese, ministri i kërkoi Gjermanisë të mos ndërhyjë në çështjet e brendshme turke dhe të mësojë të sillet, duke e trajtuar Turqinë ashtu siç duhet. Ndërkohë, ministri i jashtëm gjerman tha se qeveria qendrore e vendit nuk kishte aspak të bënte me anullimet e eventeve dhe Ankaraja nuk duhet t’i shtojë benzinë zjarrit.

Grindja mes palëve është shqetësuese për kancelaren Merkel, pasi ajo arriti të bindte Turqinë të mos lejonte hyrjen e emigrantëve, më së shumti sirianë, në Bashkimin Europian.
Sigal