Të rinjtë Shqiptarë: promovues të entuziazmit dhe lidershipit në Europë!

534
Sigal

Forumi ishte një shëmbëlltyrë e pakrahasueshme e diskutimit dhe e debatit

 Forumi Europian Alpbach është një eksperiencë unike, një udhëtim mbresëlënës, pikëtakim i mendjeve më të ndritura të të rinjve europianë me liderët dhe figurat e spikatura publike në botë. Me një traditë të konsoliduar prej dekadash, që daton që ne vitin 1945: politikanët, akademikët, studentët, dhe vendimmarrësit e disiplinave të ndryshme bëhen së bashku për të diskutuar dhe reflektuar mbi idetë dhe zgjidhjet për problemet europiane dhe më gjerë ato globale. Kësisoj, ata përfshihen në një eksperience të paharrueshme, në fshatin e vogël piktoresk të Tirolit të Austrisë, që ofron jo vetëm një panoramë frymëmarrëse të bukurisë natyrore, por që gjithashtu tejçon edhe freskinë drithëruese, ndjesinë e lirisë dhe të vetë-besimit se mund të pushtosh stoicitetin e majë-thepisurave që qëndrojnë aty, madhështore, ende të mbuluara nën dëborë.

Nën moton  «Në udhëkryq», Forumi ishte një shëmbëlltyrë e pakrahasueshme e diskutimit dhe e debatit, ndërthurur kjo me zhvillimet më të fundit me të cilat përballet zonja e vjetër, kontinenti Europian. Forumi, ishte i organizuar në 14 seminare të cilat i dedikoheshin fushave të ndryshme shkencore. Kështu java e seminareve dhe simpoziumeve ofroi një bashkëbisedim ndërdisiplinor dhe ofroi mundësi intensive ndërmjet ekspertëve të fushave të ndryshme. Programi u organizua rreth seancave plenare për çështjet akademike dhe shkencore, politike dhe ekonomike. Për gati 2-javë gjatë muajit Gusht, të rinjtë europianë, përçuan mesazhe të fuqishme tek liderët e vendit të tyre, përfaqësuesit e BE-së, dhe vetë pjesëmarrësit e tjerë në forum.  Mëse fuqishëm përmes zërit të tyre ata pohuan se e ardhmja është gjithmonë në duart e të rinjve, të cilët me idetë e tyre kreative dhe jo-konvencionale mund të sjellin ndryshimin që të gjithë dëshirojmë të shohim në botë. Diskutimet politike, sociale e mjekësore ishin lajtmotivi i një dite të zakonshme në Alpbach. E megjithatë magjia e Alpbach qëndron në idetë e finalizuara aty, në Austri: ku pavarësisht udhëkryqeve në të cilat ndodhet Europa, vendi ynë, apo shoqëria të cilat i projektojmë çdo ditë në realitetin që jetojmë, të gjithë jemi në mënyrë të pakrahasueshme mbartësit e fatit tonë. Ashtu sikundër edhe përmes diskutimeve dhe shpeshherë edhe këndvështrimit kritik dhe analitik u tregua se të rinjtë mund të sfidojnë liderët europianë,  madje edhe vetë ish-Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikën e Sigurisë dhe Marrëdhëniet me Jashtë në BE, Catherine Ashton me pyetje për të cilët ndoshta hezitohet të flitet. E të gjitha pyetjet ishin tregues i mirë i të rinjve sfidues, që rrallë pajtohen me situatën ku ata ndodhen, që nuk njohin limite dhe sfida në sipërmarrjen e tyre, e për më tepër arrijnë të tejçojnë mesazhe të fuqishme tek liderët e sotëm botërorë.

Veçanërisht frymëzuese për pjesëmarrësit shqiptarë, ishte vizita e Presidentit të Republikës, z. Bujar Nishani. Lideri i shtetit, zhvilloi një takim të posaçëm me pjesëmarrësit shqiptarë në Forum, gjatë të cilit u debatua mbi ecurinë e vendit, reformat, mundësinë për përmirësim dhe hapat që po ndiqen drejt rrugës në BE. Për më tej, presidenti gjithashtu ishte folës në Panelin ku u diskutua në tërësi mbi situatën e të rinjve në Ballkan dhe integrimin Europian, pjesë e të cilit ishte edhe Presidentja e Kosovës, znj. Ahtifete Jahjaga.

Në foto Presidenti i Republikës, Z. Bujar Nishani me përfaqësuesit e Shqipërisë. © Marsida Bandilli

E megjithatë, në tërësi, aktiviteti konfirmoi sërish se të rinjtë janë forca madhore e ndryshimit në shoqëri. Janë ata të cilët me idetë e tyre inovatore shohin përtej realitetit, shohin përtej të dukshmes, dhe ri-zbulojnë gjithmonë vetveten. Mesazhi i përcjellë është i fuqishëm: të rinjtë janë njësoj, pavarësisht kombësisë, gjuhës, fesë, traditës dhe kulturës. Janë ata që gjithmonë kërkojnë më tepër, janë ata që i çojnë kufijtë përtej kufijve, dhe që përmes përkushtimit, punës dhe dedikimit të tyre i tregojnë botës atë që janë të aftë të bëjnë mjaft mirë çdo ditë: të jenë të rinj, eksplorues, idealistë dhe promotorë të ndryshimit pozitiv në shoqëri. «Sepse bota i përket të rinjve», Ralph Waldo Emerson.

 Në intervistë për Televizionin Gjerman ARD, Marsida Bandilli. Intervista do të transmetohet në mesin e muajit Shtator në Gjermani

Në këtë kuadër, të rinjtë shqiptarë, që morën pjesë në Alpbach demonstruan përmes aktivizimit, pyetjeve sfiduese dhe debatit të gjallë, se janë njësoj si të gjithë moshatarët e tyre europianë. Për më tej, në një intervistë të dhënë për televizionin gjerman ARD, ku unë pata mundësinë tu përgjigjem pyetjeve të gazetares gjermane, u përcoll shembulli pozitiv i Shqipërisë, u ri-pohua identiteti i vendit, mijëra arsye se pse Shqiptarët janë pjesë e Europës, nga pikëpamja gjeografike por edhe për shkak të identitetit, kulturës, vlerave dhe normave që janë shumë-dimensionalisht të ngjashme me ato Europiane. Dhe është pjesë e detyrës qytetare, që ne të rinjtë e Shqipërisë duhet të bëjmë më mirë: të përfaqësojmë vendin tonë, të jemi ambasadorë të «Kopshtit Shkëmbor të Evropës Juglindore»  do thoshte Faik Konica duke ju referuar të voglës Shqipëri. E kësisoj duhet të jemi promotorë të punës dhe përkushtimit tonë për të treguar se jemi përfaqësues të denjë të vendit, se jemi gjithmonë duke u përpjekur që e tashmja jonë, por jo vetëm, edhe e ardhmja jonë të jetë gjithmonë më e mirë dhe e ndritur se dje.

Nga Marsida Bandilli

Autorja është Kandidate Doktorature në Shkencat Politike, Universiteti i Antwerpit, Belgjikë